Fillimi i operimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” në pjesën veriore të qytetit shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të autoritetit institucional dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e asaj zone.
Drejtori i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, ka bërë të ditur se tashmë është ndërprerë funksionimi i kompanisë “Ibar” dhe se të gjitha funksionet janë kaluar në institucionet shtetërore. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik për vendosjen e kontrollit të plotë të shërbimeve publike në rajon.
“Ne sot kemi vazhduar të ecim një hap drejt asaj marrëveshjeje, që ka qenë e planifikuar më herët dhe do të vazhdojmë me hapat e tjerë,” tha Kurti për RTK, duke theksuar se tashmë është bërë e qartë që kompania “Ibar” nuk do të jetë funksionale, por vetëm KRU “Mitrovica”.
Ai sqaroi më tej se kompania “Ibar” kishte funksionuar si njësi e ndarë brenda KRU “Mitrovica”.
Kurti njoftoi se do të nisë procesi i rekrutimit të stafit, ndërkohë që punëtorët aktualë, sidomos ata teknikë, tashmë janë në funksion. Ai theksoi se ky proces do të zhvillohet në përputhje me standardet dhe rregulloret e Autoritetit Rregullativ të Ujërave.
Mbyllja e kompanisë “Ibar” është realizuar sot me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.