Prokuroria Themelore në Prishtinë në një konferencë për media ka bërë të ditur se shtatë persona janë vënë në pranga për rastin “Albkings”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se se ky ishte një rast mjaft delikat, për të cilin hetimet pritet të zgjerohen edhe më shumë, edhe sa u përket personave të arrestuar, por edhe veprave penale për të cilat akuzohen.
Ai tha se këta persona janë arrestuar për një kohë mjaft të shkurtë si pasojë e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në bashkëpunim me me Policinë e Kosovës, ka arritur me sukses të gjurmojë dhe zbulojë dhe t’i arrestojë të gjithë kryesit e veprës penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve sipas Kodit Penal të Kosovës. Kjo falë bashkëpunimit me Policinë e Kosovës kemi rritur ti arrestojmë brenda një afati të shkurtë kohor dhe ky rast ka cenuar rëndë integritetin personal dhe moral të tyre me shpërndarjen e fotove dhe videoincizimeve intime. Për këtë rast ka gjasa të hetohen edhe më shumë hetimet edhe sa i përket personave të përfshirë por edhe veprat penale për të cilat akuzohen. Sot i kemi të arrestuar 7 persona që janë në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të vazhdimit të zgjerimit të hetimeve”, tha Gashi.
Prokurorja e rastit, Elza Bajrami-Kastrati, bëri me dije se grupi është mbyllur përfundimisht.
“Kemi arritur që këtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë ajo.
Bajrami-Kastrati në konferencën për media tha se gjatë hetimeve kanë lëshuar edhe masa të fshehta me qëllim identifikimin e personave.
“Pas publikimit të informatave në fillim të 2024, Prokuroria ka autorizuar policinë, drejtorinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore në këtë rast. Në kuadër kemi lëshuar masa të fshehta që kanë rezultuar me identifikimin e personit të parë dhe arrestimit të tij.
“E.N, njëri nga administratorët është arrestuar, pastaj më 23 prill është ndaluar edhe personi i dytë, femër E.S e cila po ashtu duke qenë admin dyshohet për veprën penale vjedhja e identitetit dhe e kredencialeve…edhe ndaj kësaj prokuroria ka paraqitur caktimin e masës së paraburgimit ,të njëjtës i është vazhduar edhe për dy muaj”, tha fillimisht prokurorja e rastit.
“24 maj, me qëllim drejt identifikimit, policia ka lëshuar vendim për ndalimin e personit të tretë ndaj administratorit kryesor dhe krijuesit e Alb Kings, kemi arritur që grupin ta mbyllim përfundimisht, edhe përkundër nga mbyllja e parë është hapur edhe dy herë”, tha ajo.
“Kemi arritur t’i arrestojmë deri tani 7 persona të përfshirë në këtë rast, po vazhdohen hetimet edhe në disa pista të tjera për arsye të grumbullimit dyshohet se të njëjtit janë kryerës veprave tjera penale”, bëri të ditur prokurorja e rastit. /Reporteri.net/