Mark Zuckerberg është shprehur se jemi drejt fundit të epokës së smartfonëve. Sipas tij, këto pajisje do të bëhen të panevojshme dhe do të zëvendësohen nga një objekt më i thjeshtë, më diskret dhe më afër trupit, syzet inteligjente.
Kreu i kompanisë Meta beson se ky ndryshim do të ndodhë natyrshëm, pasi syzet janë një aksesor i zakonshëm për njerëzit. Ai thekson se nuk do të kufizohen vetëm në shfaqjen e njoftimeve, por do të ofrojnë një mënyrë krejt të re për të përjetuar teknologjinë. Përfitimi i parë do të jetë fizik, thotë ai, nuk do të mbajmë më duart të zëna dhe nuk do të qëndrojmë me kokën ulur mbi ekran.
Meta ka prezantuar tashmë modelet Ray-Ban Stories dhe Ray-Ban Meta, që regjistrojnë video, dëgjojnë, përkthejnë në kohë reale dhe shfaqin informacion me realitet të shtuar. Kjo do ta bëjë më të lehtë udhëtimin dhe komunikimin, por njëkohësisht e vështirëson dallimin mes realitetit dhe botës virtuale, shkruan A2 CNN.
Strategjia e Zuckerberg lidhet me tregun: shitjet e telefonave kanë rënë, prodhimi po ngadalësohet dhe modelet e reja sjellin vetëm ndryshime minimale. Tashmë kërkohet qëndrueshmëri, jo ndërrim i shpeshtë. Ai parashikon që brenda një dekade nuk do të kemi më nevojë të nxjerrim telefonin nga xhepi, pasi gjithçka, mesazhe, telefonata, foto, navigim, do të kryhet përmes syzeve.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet çmimi. Për këtë arsye, Meta po investon miliarda në projektin Orion AR, duke synuar të udhëheqë epokën e re kompjuterike dhe të mos varet nga Apple apo Google. Kompania shpreson që brenda 3 deri 5 vitesh të ulë kostot dhe të përhapë përdorimin masiv, ndërsa deri në vitin 2030 parashikon që deri në 25% e përdoruesve të kalojnë te syzet inteligjente.