Lin 3, vendbanimi palafit më i madh në Ballkan dhe më i vjetri në Europë, shtrihet në mbi 6 hektarë

Zbulimet e reja arkeologjike në Liqenin e Ohrit konfirmojnë përmasat e jashtëzakonshme të vendbanimit prehistorik pranë Linit. I ndërtuar rreth 8 mijë vjet më parë mbi pilota druri, siti po ndihmon në rishikimin e kronologjisë së neolitit në Shqipëri dhe Europë.

Lini në Pogradec vijon të zbulojë dëshmi të rëndësishme të historisë së hershme të njerëzimit. Kërkimet arkeologjike në vendbanimin nënujor Lin 3 kanë konfirmuar se siti shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 6 hektarësh, duke e renditur ndër vendbanimet palafite më të mëdha të zbuluara në Ballkan dhe, sipas studiuesve, më të vjetrin e këtij lloji në Europë.

Ekspedita shqiptaro-zvicerane, e cila prej vitit 2020 zhvillon kërkime në zonë, ka arritur këtë vit të dokumentojë për herë të parë të gjithë shtrirjen e vendbanimit. Sipas drejtuesit të projektit, arkeologut Adrian Anastasi, ruajtja e mirë e shtresave kulturore nën ujërat e Liqenit të Ohrit krijon kushte të veçanta për studime të mëtejshme shkencore.

Vendbanimi daton në periudhën 5800–4500 para Krishtit dhe dëshmon ekzistencën e një komuniteti të organizuar, i cili ndërtonte banesat mbi pilota druri. Zbulimet e reja tregojnë se vendbanimi kishte një planifikim të mirëfilltë urban, me shtëpi me planimetri drejtkëndore dhe sisteme mbrojtëse që janë zhvilluar në disa faza.

Gjatë kërkimeve janë identifikuar katër breza strukturash mbrojtëse prej druri, të cilat dëshmojnë evolucionin e teknikave të ndërtimit ndër shekuj. Arkeologët kanë zbuluar gjithashtu një mjet lundrimi të tipit pirog, që daton rreth vitit 5300 para Krishtit dhe konsiderohet ndër dëshmitë më të hershme të këtij lloji të identifikuara në territorin shqiptar.

Një tjetër element me rëndësi është pasuria e materialeve arkeologjike. Mbi 1500 fragmente qeramike janë dokumentuar dhe kataloguar, duke zbuluar një nivel të zhvilluar të përpunimit artizanal. Mes tyre spikat qeramika e zezë me shkëlqim metalik, e dekoruar me grafit, si dhe enë të ndryshme për gatim, konsum dhe ruajtjen e produkteve bujqësore e blegtorale.

Sipas arkeologut Ilir Gjepali, zbulimet në Lin 3 sjellin edhe një ndryshim të rëndësishëm në kronologjinë e neolitit në Shqipëri. Vendbanimi dëshmon një fazë më të hershme se ajo e njohur më parë në Dunavec të Korçës, duke e vendosur këtë zonë në periudhën 5800–5900 para Krishtit.

Studimet nuk kufizohen vetëm në gërmimet nënujore. Kampionet arkeologjike analizohen në laboratorë ndërkombëtarë. Universiteti i Bernës merret me datimet e karbonit 14 dhe dendrokronologjinë, ndërsa materialet që lidhen me mikroflorën dhe mikrofaunën studiohen në laboratorët e Oksfordit. Paralelisht, në Kopenhagë po zhvillohen kërkime për identifikimin e varieteteve origjinale të grurit dhe thekrës, me qëllim rindërtimin e praktikave bujqësore dhe dietës së banorëve të lashtë.

Studiuesit vlerësojnë se rajoni përreth Linit mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në përshtatjen e bujqësisë së ardhur nga Anadolli me kushtet klimatike të Europës. Kjo e bën vendbanimin një pikë të rëndësishme për të kuptuar përhapjen e bujqësisë dhe zhvillimin e komuniteteve të para neolitike në kontinent.

Ndërkohë, kërkimet arkeologjike janë shtrirë edhe në Liqenin e Prespës, ku është identifikuar një vendbanim nënujor i periudhës së bronzit. Sipas Adrian Anastasit, studimet e mëtejshme mund të zbulojnë edhe faza të tjera të kësaj periudhe.

Përveç rëndësisë shkencore, arkeologët synojnë që kjo pasuri të bëhet e aksesueshme edhe për publikun. Një nga propozimet është ndërtimi i një muzeu pranë zonës arkeologjike, ku vizitorët të mund të ndjekin përmes teknologjisë digjitale dhe kamerave transmetimet e drejtpërdrejta të gërmimeve nën ujë dhe në tokë.

Rezultatet e pesë viteve kërkime pritet të përmblidhen në një botim shkencor që do të dokumentojë zbulimet e periudhës 2020–2025.

Me sipërfaqen e tij prej mbi 6 hektarësh, strukturat e ruajtura prej druri dhe dëshmitë e një komuniteti të organizuar mijëra vite më parë, Lin 3 po shndërrohet në një nga sitet më të rëndësishme për studimin e prehistorisë europiane.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME