Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

Për t’u pajisur me licencë të avancuar, mësimdhënësit pritet t’i nënshtrohen testit me shkrim. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pret që në qershor të këtij viti, një numër i madh i mësimdhënësve t’i nënshtrohen këtij testimi.

“Synojmë që nga qershori i këtij viti do të nisemi edhe për prodhimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve që janë përcaktuar mbi bazën e standardeve profesionale dhe jam e bindur që kemi mësimdhënës që janë të gatshëm të aplikojnë për këtë licencë”, tha Nagavci.

Por, atë nuk e mirëpresin mësimdhënësit.

“Sa i përket vlerësimit ose testimit në aspektin teorik nuk e shoh si të arsyeshme për arsye se çdo mësimdhënës, i cili është në proces mësimor është testuar sa i përket njohurive teorike, ndërsa sa i përket testimit apo vlerësimit të performancës besoj që është shumë e nevojshme dhe kjo ndikon në ngritje dhe cilësi”, tha Naxhie Fejzullahu, mësimdhënëse.

Për testim me shkrim të mësimdhënësve ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj. Sipas tij, ministrja e ka në plan t’i degradojë mësimdhënësit. Mirëpo, për dallim nga Sindikata njohësit e arsimit konsiderojnë që testimi është i domosdoshëm.

“Është një proces i mirë-strukturuar për kalim nga licenca e karrierës në licencë të avancuar për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kenë këtë kategori të licencës, pra ky testim është për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kalojnë nga licenca e karrierës në licencë të avancuar”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.

Ndërkaq, sipas ministres së Arsimit tashmë janë miratuar udhëzimet administrative, të cilat rregullojnë procesin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, si dhe vlerësimin e performancës së tyre. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights