Komentatori politik Blerim Latifi e ka paralajmëruar Lumir Abdixhikun për rrezikun politik që i kanoset nga grupi i të pakënaqurve në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Latifi tha të enjten se qëllimi i grupit të të pakënaqurve në LDK është rrëzimi i Abdixhikut përmes zgjedhjeve lokale.Në një analizë në emisionin Pressing të T7, profesori Latifi u shpreh se grupi i kundërshtarëve të kryetarit të LDK-së do të angazhohen të krijojnë përçarje në LDK duke e dobësuar partinë në zgjedhjet lokale.
“Realisht në LDK ka një mobilizim të atyre që kanë qenë kundër që Abdixhiku me marrë partinë”, tha ai. Sipas Latifit, nëse Abdixhiku pëson disfatë në zgjedhje mund të rrëzohet nga kreu i partisë.
“Nuk është moment i gabueshëm. Dëgjom. Nëse ekziston një masë kritike brenda LDK-së që është kundër Lumir Abdixhikut, ajo masë kritike ka me u angazhu që përmes një përçarje të brendshme t’ia shkaktojë Abdixhikut një disfatë të dytë në zgjedhjet lokale që vijnë shpejt”, deklaroi Latifi. “Nëse Abdixhiku pëson disfatë në zgjedhjet lokale, atëherë merr fund lidershipi i tij”.Dhe, gurët kanë filluar të lëvizen, sipas Latifit.
“Këta njerëz të cilët nuk e shohin veten e tyre nën udhëheqjen e Abdixhikut, tashmë kanë filluar të lëvizin”, tha ai.