Kush po e thotë të vërtetën për pagën minimale 500€?

Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve është zhvilluar sot një takim konsultativ për rritjen e pagës minimale. Takimi, i udhëhequr nga ministri në detyrë Hekuran Murati, mblodhi përfaqësues të sindikatave dhe odave ekonomike për të diskutuar mundësinë e përcaktimit të një page minimale prej 500 eurosh nga muaji janar i vitit të ardhshëm, raporton Korrespodenti.

Megjithatë, pjesëmarrësit theksuan se nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar dhe se diskutimi ka qenë i natyrës konsultative.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat dhe të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) refuzoi pjesëmarrjen, duke e quajtur ftesën “fushatë politike”.

“OEK thekson se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ndonëse një proces i tillë është thelbësor për adresimin e sfidave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit,” thuhet në njoftimin e OEK.

Kryetari i saj, Lulzim Rafuna, ka shtuar se “proceset që prekin bizneset, siç është edhe çështja e pagës minimale, kërkojnë qasje serioze, analiza të mirëfillta dhe konsultim të gjerë me sektorin privat”.

Pas përfundimit të takimit, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se takimi ishte pjesë e dialogut social dhe kishte për qëllim mbledhjen e propozimeve nga të gjitha palët.

“Dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave që mbështetën rritjen e pagës minimale, si dhe rekomandimet e bizneseve që kërkuan më shumë konsultime dhe një pagë minimale të përshkallëzuar,” tha Murati.

Ai e cilësoi pagën minimale si një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e punëtorëve, duke theksuar se “vendosja e saj duhet të marrë parasysh edhe kapacitetin e tregut dhe mundësitë e ndërmarrjeve”.

Nga ana e tij, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha pas takimit se është arritur pajtueshmëri për shumën 500 euro, që pritet të nisë nga muaji janar.

“Është diskutuar për pagën minimale. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 600 euro në sektorin privat. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë ose qeverisë në detyrë, që vlerësimi i tyre është që kjo pagë të jetë 500 euro dhe e kam pyetur nëse gjithçka shkon në rregull, kur mendoni të fillojë së implementuari. Sipas deklarimit të ministrit është thënë që paga minimale prej 500 euro të fillojë së implementuari në janar, por megjithatë nuk e ka hedhur poshtë edhe propozimin tonë për shumë 600 euro,” tha Azemi.

Sipas tij, “nga të gjithë akterët që ishim jemi pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro dhe të fillojë së implementuari në janar”.

Në të njëjtën linjë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë sqaroi përmes një komunikate se “takimi ka qenë konsultues dhe palët pjesëmarrëse kanë dhënë mendimet e tyre dhe propozimet rreth kësaj çështje”, duke theksuar se “marrja e vendimit ad-hoc vetëm sa do të vështirësojë situatën ekonomike dhe ku më të dëmtuarit do të jenë qytetarët”.

Por debati nuk përfundoi me kaq. Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, reagoi ashpër, duke e quajtur procesin “manipulim elektoral me paranë publike”.

“Loja me pagën minimale dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit për përfitime puro partiake nga pushteti aktual, ndërkohë që për tre vite rresht është injoruar plotësisht ligji për pagën minimale dhe ai për pagat në sektorin publik, ka vetëm një emër: korrupsion elektoral,” shkroi Tahiri.

Sipas tij, “kjo s’është politikë sociale, është manipulim elektoral me paranë publike”.

Takimi për pagën minimale përfundoi pa vendim përfundimtar, por me një pajtim të përgjithshëm që shifra prej 500 eurosh të shqyrtohet si bazë për fillimin e zbatimit nga janari, pas formimit të qeverisë së re dhe një procesi të plotë konsultimesh institucionale. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME