Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe sot i është shmangur pyetjeve të gazetarëve, duke mos dhënë asnjë deklaratë lidhur me situatën e bllokuar politike për konstituimin e Kuvendit, transmeton IndeksOnline.
Kurti u pa teksa ecte drejt hapësirave të Parlamentit, pa ndalur për të komentuar zhvillimet aktuale. Që nga momenti kur është bllokuar procesi i konstituimit të Kuvendit, ai nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike për media.
Sot po zhvillohet tentativa e 11-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ku Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë pozitë. Megjithatë, propozimi i saj po kundërshtohet nga partitë e tjera, duke vënë sërish në dyshim mbarëvajtjen e seancës dhe të ardhmen e procesit politik.
Mbetet të shihet nëse edhe kjo tentativë do të përfundojë me dështim, apo nëse do të hapet rruga për formimin e qeverisë së re, për të cilën Kurti ende nuk i ka numrat.