Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar pesë vendimet që, sipas tij, do të ndërmerren menjëherë brenda javës së parë nëse Lëvizja Vetëvendosje merr besimin për të formuar Qeverinë Kurti 3.
Në një adresim para deputetëve, Kurti theksoi se prioritet do të jenë politikat sociale dhe ekonomike që prekin drejtpërdrejt qytetarët, duke nisur nga rritja e pagës minimale në sektorin privat, rritjes së pensionit minimal, etj.
“Me të marrin besimin tuaj të ndërtuar, deputetë – pesë vendimet e para që do t’i marrim si qeveri, që në javën e parë, do të jenë: miratimi i Projektligjit të Buxhetit për vitin 2026; vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro, që prek rreth 200 mijë pensionistë; vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50 për qind mbi nivelin aktual, që prek rreth 400 mijë fëmijë; vendimi për rritjen e pagës minimale, që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat, gjithashtu prek edhe të rinjtë që janë angazhuar përmes platformës Superpuna, si dhe gratë lehona të cilat përfitojnë nga shtesat; dhe miratimi i ndryshimit të plotësimit të Ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët e UÇK-së që janë përfitues të benefitit të veteranit.” – tha ai.
