Lideri i LVV-së, Albin Kurti, i cili për momentin është edhe deputet dhe kryeministër në detyrë, ka folur sot para seancës konstituive, e cila dështoi sikurse mbledhjet e kaluara, shkruan Express.
Deputetët e partive opozitare të cilët s’po pranojnë të shkohet me votim të fshehtë për votimin e kryekuvendarit, Kurti i ka quajtur “nomadikë”, meqë sipas tij, ata nuk po duan të kenë shtëpi.
“Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, ka thënë Kurti.
Kurti i kishte quajtur partitë opozitare edhe si “hajvana”, në orët e para të 10 shkurtit pasi kishte marrë vesh se ka dalë parti e parë. Gjuha e Kurtit ndaj opozitës është edhe një prej arsyeve se pse asnjë nga to nuk po pranon të bashkëpunojë me Kurtin.