Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë homazhe sot në Zhazhë në kujtim dhe nderim të civilëve shqiptarë të vrarë në masakrën e Zhazhës.
26 vjet më parë forcat policore ekzekutuan civilë shqiptarë të pambrojtur dhe të paarmatosur, në mesin e tyre edhe një të mitur, Fidan Pecin, i cili ishte vetëm 16 vjeç.
Kryeministri Kurti dhe ministri Faton Peci, të shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit, vendosën lule të freskëta te lapidari i ngritur në nderim të viktimave civile dhe katër dëshmorëve të kësaj zone, të rënë në luftën çlirimtare.
Pas homazheve në Zhazhë, ata vazhduan për në fshatin Boletin në Komunën e Zveçanit, ku vizituan Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit dhe vendosën lule të freskëta mbi varrin e heroit Isa Boletini. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe për këtë kompleks të rëndësishëm për popullin shqiptar, kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit e aktiviteteve të rregullta.
“Në Kullat e Isa Boletinit u mësua dhe u mbrojt historia e shqiptarëve por edhe tek ato u bë historia e u lartësuan shqiptarët. Çdo brez duhet të rikthehet këtu që të mësojë, e të mbrojë e të bëjë, që të ecë përpara” ka shkruar Kurti në librin e përshtypjeve.