Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kushtuar raportit gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili ndodhi më 24.09.2023, si dhe ka dënuar sulmin në kanalin e ujit Ibër-Lepenc që ka ndodhur më 29.11.2024.
“Dënoj sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29 nëntor dhe ritheksoj thirrjen time për një hetim gjithëpërfshirës dhe transparent për të identifikuar dhe për t’i vënë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës” – ka thënë Ziadeh.
“Mëse një vit prej incidentit serioz në Banjskë ritheksoj rëndësinë për sigurimin e llogaridhënies përmes procedurave të drejta e të pavarura gjyqësore. Ky rast së bashku me atë në “Ibër-Lepenc” theksojnë nevojën për angazhim efektiv me mekanizma të ndihmës së ndërsjellë juridike për të përkrahur ndjekjen penale dhe hetimet” – ka shtuar Ziadeh.
Gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ziadeh ka shprehur brengën e saj edhe për mjetin eksploziv të hedhur në zyrën postare në Zveçan.
“Dua të shpreh brengën time sa i përket mjetit eksploziv që është hedhur në një zyrë postare të hapur tash së voni në Zveçan, më 1 prill 2025 që ka shkaktuar dëme materiale. Akte të tilla të dhunës janë të papranueshme, si dhe duhet të hetohen menjëherë në mënyrë gjithëpërfshirëse që kryerësit të vihen para drejtësisë”, ka thënë ajo, transmeton Kallxo.com.
Për rastin e Banjskës janë të akuzuar 45 persona, por vetëm tre prej tyre gjenden në paraburgim. Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ziadeh gjithashtu ka deklaruar se qeveria e re është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu i lehtësuar nga BE.
Ajo në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka thënë se shpreson se qeveria e re do të krijohet pas zgjedhjeve që janë mbajtur me 9 shkurt.
“Pasi të krijohet qeveria e re është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu I lehtësuar nga BE”, tha ai.
Ziadeh inkurajojë grupin punues për personat të pagjetur që të punojnë së bashku për të zgjidhur fatin e personave të të zhdukurve, për të cilët familjarët kërkojnë përgjigje.
Ajo tha se ka vizituar veriun dhe qytetarët atje shpresojnë që dialogu në Brukselit ë vazhdon dhe serbët të kenë një lloj zotësie në kuptimin e vet menaxhimit në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Shefja e UNMIK-ut ka përkujtuar kryetarin e Shoqatës së Personave të Pagjetur, Bajram Çerkini, i cili ka vdekur më 24.02.2025.
Ziadeh ka inkurajuar që të gjitha palët që të shfrytëzojnë plotësisht këtë komision të përbashkët bashkërisht me grupin ekzistues të punës për personat e pagjetur për të ecur përpara pa asnjë pengesë që të zbardhin fatin e më të dashurve të tyre.
“Në këtë kontekst dua të përkujtoj vdekjen e Bajram Çerkinit, babain e një djali të zhdukur me forcë që i ka kushtuar me dekada jete avokimit për të drejtën për të ditur, përpjekjet e të cilit kanë prekur shumë komunitete e etni. Ka qenë mishërim i humanizmit i të gjithëve që janë prekur. Trashëgimia e tij vazhdon të udhëheqë rrugën në këtë drejtim”, ka thënë Ziadeh.