Kryetari në ikje i Fushë Kosovës suspendon dy nga drejtorët me performancën më të lartë në komunë

Sipas informacioneve ekskluzive të siguruara nga Gazeta Korrespodenti, kryetari aktual i Komunës së Fushë Kosovës ka marrë sot vendim për suspendimin e dy drejtorëve komunalë, të cilët deri më tani janë vlerësuar ndër më efikasit në ekzekutivin lokal.

Bëhet fjalë për Ekrem Berjanin, drejtor të Zhvillimit Ekonomik, dhe Bardhyl Koçiçin, drejtor të Infrastrukturës. Të dy zyrtarët janë larguar nga detyra me vendim të vetë kryetarit.

Arsyet e mundshme të vendimit

Sipas burimeve të afërta me Degën e LDK-së dhe administratën komunale në Fushë Kosovë, ky vendim lidhet me qëndrimet kritike që të dy drejtorët kanë shprehur pas rezultatit të dobët të Degës së LDK-së në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, kur dega doli parti e tretë për herë të parë, si dhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kur po ashtu përfundoi e dyta pas 25 vjetësh.

Burime brenda komunës bëjnë të ditur se Berjani kishte theksuar se ky rezultat ishte pasojë e mungesës së projekteve të qëndrueshme, mungesës së shërbimeve cilësore, mungesës së transparencës, si dhe kandidatit të dobët dhe organizimit joefikas partiak — faktorë që, sipas tij, çuan në rënie të mbështetjes qytetare.

Tensionet në LDK-në lokale

Vendimi për suspendim, sipas të njëjtave burime, është marrë në një periudhë tensioni të brendshëm në LDK-në e Fushë Kosovës, pas marrëveshjes së papritur për bashkëqeverisje me PDK-në në nivel lokal — marrëveshje e cila, sipas shumë vlerësimeve, është bërë për interesa personale të dy partive, duke lënë anash përgjegjësinë ndaj qytetarëve të komunës.

Profili i zyrtarëve të suspenduar

Ekrem Berjani, përveç funksionit të drejtorit, mban edhe pozitën e nënkryetarit të LDK-së në Fushë Kosovë, ndërsa Bardhyl Koçiçi është aktiv në jetën politike dhe shoqërore të komunës.

Të dy konsiderohen prej kohësh ndër figurat më aktive dhe më të vlerësuara në qeverisjen komunale, me projekte konkrete dhe rezultate të prekshme në shërbim të qytetarëve.

Ekrem Berjani
Bardhyl Koçiçi

Reagimet dhe zhvillimet e pritshme

Ky vendim i fundit i kryetarit Burim Berisha po shihet nga analistë lokalë si një akt hakmarrjeje ndaj shprehjes së pakënaqësive për përkeqësimin e marrëdhënieve brenda Degës së LDK-së.

Gazeta Korrespodenti do të vazhdojë ta ndjekë këtë rast dhe do të sjellë reagimet zyrtare të të përfshirëve, si dhe qëndrimin e Komunës së Fushë Kosovës lidhur me këtë vendim.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME