Deklarata për bashkëpunim ushtarak trepalësh mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë ka shërbyer si shkas për pushtetin në Serbi që të merret me ‘rrezikun e jashtëm’.
E para ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila këtë memorandum e ka quajtur si “manovër të rrezikshme”.
Në kohën kur pushteti aktual në Beograd po përballet me protesta të përditshme, memorandumi i nënshkruar në Tiranë, mes ministrave të Mbrojtjes të të trija vendeve, është shfrytëzuar si ngjarje për ta drejtuar vëmendjen e publikut drejt ‘armiqve të jashtëm’.
Edhe kryeministri në largim i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se aleanca mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është “e drejtuar kundër nesh”, teksa ka shtuar se vetëm një shtet i fortë serb është përgjigjja e vetme.
“Shpresoj se tani është e qartë për secilin qytetar të Serbisë se një shtet i fortë i Serbisë është përgjigjja e vetme për ne. Nëse nuk e mbrojmë dhe ndërtojmë atë, nuk na pret asgjë e mirë”, ka thënë Vuçeviq, përcjell Blic, medium ky i afërt me pushtetin në Serbi.
Ai, po ashtu, ka zënë në gojë edhe njoftimin e ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anushiq, se ka mundësi që edhe Bullgaria të bëhet pjesë e këtij bashkëpunimi.
“Duhet të kihet parasysh se Kroacia, Bullgaria dhe Shqipëria janë fqinjë të Serbisë”, ka thënë kryeministri serb.