Koreja e Veriut ka konfirmuar për herë të parë se ka dërguar trupa për të luftuar për Rusinë, kundër forcave ukrainase.
Në një raport të agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA, ushtria e Koresë së Veriut pretendoi se ushtarët e saj i kanë ndihmuar forcat ruse që “ta çlirojnë plotësisht” rajonin kufitar rus të Kurskut, sipas një urdhri të dhënë nga udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong Un, raporton televizioni BBC.
Njoftimi i Penjanit vjen vetëm disa ditë pasi komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, e çmoi “heroizmin” e trupave koreanoveriore, hera e parë që Moska e pranoi publikisht përfshirjen e tyre.
Zyrtarë perëndimorë i kishin thënë më parë BBC-së se besonin që të paktën 1 mijë nga 11 mijë trupat e dërguara nga Koreja e Veriut ishin vrarë për një periudhë tremujore.
Gerasimovi gjithashtu pretendoi që forcat ruse e kanë rimarrë nën kontroll të plotë rajonin e Kurskut, por një gjë e tillë u mohua nga Ukraina.
Duke reaguar ndaj deklaratës, Shtetet e Bashkuara thanë se Koreja e Veriut tani duhet të marrë përgjegjësi për shkaktimin e vazhdimit të luftës.
Vendimi për dislokimin e trupave në Rusi ishte në përputhje me traktatin për mbrojtje reciproke mes Penjanit e Moskës, raportoi agjencia KCNA.
“Ata që luftuan për drejtësi, janë të gjithë heronj dhe përfaqësues të nderit të mëmëdheut”, citohet të ketë thënë Kim Jong Un-i, sipas kësaj agjencie.