Vetëm katër ditë pas vizitës kundërthënëse në Moskë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se të ardhmen e vendit të tij e sheh në Bashkimin Evropian.
Ndonëse i vlerësuar kudo si një veprim poshtërues ndaj Brukselit i cili kishte kërkuar bojkotimin e ceremonive të 9 majit në Kremlin, Vuçiq është shprehur optimist për bisedimet për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Këto komente i ka bërë gjatë një konference për medie pas takimit që pati me kreun e Këshillit Evropian, António Costa, i cili të martën ka qëndruar në vizitë zyrtare në Beograd.
“Jam i nderuar nga vizita e António Costas dhe mirënjohës ndaj BE-së për mbështetjen e saj në formën e projekteve të shumta që kanë kontribuar në rritjen e shpejtë e të qëndrueshme të vendit tonë. Ne jemi të përkushtuar në rrugën evropiane dhe sot po i diskutojmë të gjitha çështjet e interesit të ndërsjellë”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në ‘Instagram’.
“Serbia mbetet sinqerisht dhe vendosshmërisht e përkushtuar për reforma dhe dialog, dhe të ardhmen e rajonit e sheh në Bashkimin Evropian.”
Në konferencën e përbashkët për media, ai ka thënë se është i kënaqur nga përmbajtja e bisedës me zyrtarin evropian.
“Ne folëm për të gjitha çështjet e rëndësishme e të vështira, mbi domosdoshmërinë e bisedimeve me Prishtinën, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb ka shtuar se me Costan ka folur edhe për çështjen e vizitës në Moskë për të cilën, sipas tij, mendohet ndryshe në Bruksel.
“Për Serbinë është e rëndësishme që të jetë në rrugën evropiane e ta përshpejtojë integrimin, ta bëjë punën e vet, të hapë Kapitullin e tretë sa më parë që është e mundur, qoftë kjo në qershor apo tetor, askush nuk e di, për shkak se atmosfera nuk është aq e mirë për shkak të udhëtimit në Moskë”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, Costa ka bërë të ditur se vizita e tij në Beograd është e para në mesin e shumë të tillave që do t’ua bëjë partnerëve në Ballkanin Perëndimor.
“Më lejoni të jem i qartë, ne tash kemi një momentum pozitiv për zgjerim dhe kjo është mundësi për Serbinë. BE mbetet fuqimisht e përkushtuar për anëtarësimin e Serbisë si një vend stabil dhe prosperues me trashëgmi nga e kaluara, por ju keni vendosur të keni të ardhme evropiane”, ka thënë Costa.
Ai ka shtuar se anëtarësimi është proces i mbështetur në merita, teksa ka sqaruar gjërat që duhen bërë me qëllim të hapjes së kapitullit të radhës.
“Është liria e medias, lufta kundër korrupsionit dhe ligji zgjedhor. Përputhja e plotë me politikën e jashtme të BE-së dhe rezolutat në çështje të dyanshme janë element i rëndësishëm i anëtarësimit tuaj, ashtu sikurse edhe bisedimet me Prishtinën.”
Presidenti i Këshillit Evropian ka komentuar edhe vizitën në Moskë, duke theksuar se nuk mund të shpërfillet që element kyç i politikës së jashtme evropiane është dënimi i pushtimit brutal rus të Ukrainës.
“Shumë njerëz e kanë humbur besimin në këtë proces. Por unë kam ardhur këtu që t’ju siguroj për angazhimin tim dhe përkushtimin e BE-së për të arritur rezultate në zgjerim. E ardhmja e Serbisë është në BE. Topi tani është në oborrin tuaj”, ka theksuar Costa.