KFOR ka shtuar masat për sigurinë ne Kosovë, pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit. Me anë të një njoftimi për mediat, misioni paqeruajtës ka bërë me dije se ka nisur përgatitjet për planin mbrojtës të Manastirit të Deçanit.
Aty thuhet se Batalioni i Komandës Rajonale Perëndimore i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, në bashkëpunim me batalionin rezervë hungarez zhvilluan një stërvitje për zbatimin të planit të mbrojtjes për Manastirin në Deçan.
Stërvitja ka mundësuar përmirësimin e kapacitetit të vendosjes së njësive të reagimit të shpejtë, të kryera me mjete tokësore dhe me helikopterë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet më tej në njoftim.KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in , në rolet e tyre përkatëse për garantimin e sigurisë në Kosovë thuhet në mbyllje të njoftimit të misionit paqeruajtës.