Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë.
Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje e përdorim të armëve të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Avni Kelmendi” në Lipjan, ku gjashtë të rinj janë përfshirë në një rrahje, ku për pasojë njëri prej tyre ka mbeti i therur me thikë.
Sinjali mëson se ndaj dy prej gjashtë të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe bëhet fjalë për Valmir Gashin dhe Altin Duhlakun, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë Erion Krasniqi (që u ther me thikë), Fleton Nishori, Mirand Nishori dhe Besart Krasniqi.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Gashi dhe Duhlaku janë të dyshuarit kryesor, ndërsa personat e tjerë të përfshirë janë liruar.
Rasti ka ndodhur pas një debati mes të dyshuarve që kaloi nga dhuna fizike, në përdorim të thikës, ku njëri prej tyre dyshohet se theri me thikë një të dyshuar tjetër.
Viktima që pësoi lëndime trupore është dërguar në Emergjencë për të marrë trajtim mjekësor dhe sipas informacioneve të para është jashtë rrezikut për jetë.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast është konfiskuar mjeti i mprehtë dhe një shufër metalike.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
“ Pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete gjashtë të dyshuar meshkuj kosovarë ku si pasojë njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Si provë materiale lidhur me rastin është konfiskuar një thikë (brisk), ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa katër të tjerët janë liruar.”