Presidenti kinez, Xi Jinping, ka pritur me një darkë gala liderët botërorë në Shenzhen të Kinës, në mesin e të cilëve ishin presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin.
Por, përtej takimeve diplomatike dhe diskutimeve që pritet të përcaktojnë raportet mes tri fuqive botërore, vëmendje ka marrë edhe menyja e përzgjedhur nga presidenti kinez për mysafirët e tij.
Gazeta nga Hong-Kongu, South China Morning Post, ka publikuar detaje nga banketi, ku dominuan specialitetet tradicionale të kuzhinës së provincës Guangdong.
Darka nisi me një përzgjedhje mezesh të ftohta, të pasuara nga një supë tradicionale peshku me ullinj kinezë.
Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, ndër ushqimet që u servirën ishin karavidhet me xhenxhefil dhe qepë të njoma, peshku i gatuar në avull me salcë soje, fileto viçi me kërpudha, si dhe gështenja e perime me salcë shafrani.
Në meny nuk munguan as tri lloje të ushqimit tradicional kinez “Dim Sum”, ndërsa për ëmbëlsirë u shërbyen tortë, fruta të freskëta dhe akullore.
Çfarë u shërbye për të pirë?
Agjencia italiane e lajmeve Askanews raporton se nikoqirët kishin përzgjedhur një verë të kuqe Cabernet Sauvignon të vitit 2019, një verë të bardhë të vitit 2020, si dhe një verë të ëmbël të prodhuar nga fruti ekzotik liçi.
Edhe programi muzikor ishte përgatitur posaçërisht për këtë mbrëmje, me 22 pjesë muzikore.
Ndërkohë, mediumi ndërkombëtar Infobae raporton se, para darkës, Putin iu afrua Trumpit dhe Xi Jinpingut, shtrëngoi dorën e presidentit amerikan dhe iu bashkua për pak çaste bisedës së tyre.
Ky moment erdhi në prag të takimit trepalësh që pritet të zhvillohet të enjten, ku ndër temat e mundshme të diskutimit është edhe kontrolli i armëve bërthamore.
Megjithëse mediat ndërkombëtare kanë zbuluar menynë e banketit, nuk është bërë e ditur se cilat prej ushqimeve kanë konsumuar personalisht Trumpi dhe Putini.



