‘Kam kritikuar qeverinë e Shqipërisë dhe të Kosovës’! Ish-Presidenti, Alfred Moisiu: Dy vendet duhet të kenë strategji të përbashkët

KOSOVË- Ish-presidenti, Alfred Moisu është shprehur se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes. Moisiu thotë se dy ka kritikuar të dy qeveritë dhe thekson se dy vendet duhet të kenë bashkëpunim më të madh edhe ndërmjet shtabeve të ushtrive pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë mund të përballohet çfarëdo lloj rreziku nga Serbia. Në një intervistë për KosovaPress, Moisiu e ka cilësuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si ideatori kryesor i agresionit ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë.

“Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure. Ai [Vuçiç] është kryetar i shtetit serb. Unë nuk mund të imagjinoj dot se një shtet si Serbia, që është një shtet diktatorial me të thënë të drejtën, se vepron dikush pa e ditur kryetari i shtetit. Unë këtë nuk e imagjinoj dot. Mund të thuhet çkado, por unë nuk e besoj dot. Ai ka qenë brenda dhe ka dorë në këto gjëra [sulmin terrorist në Banjskë]. Kjo është shqetësuese”, deklaron ish-presidenti shqiptar.

Teksa përmed pretendimet që Serbia mund të ketë mbi Kosovën, Moisiu nuk është kundër dialogut mes palëve dhe thekson se duhet të vazhdojë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Dialogu do të vazhdojë, ajo dihet. Por ata [zyrtarët e Serbisë] kanë qëllimet e veta dhe s’heqin dorë nga ato qëllime. Kam treguar një rast, në vitin 2002, para se të jem president i Shqipërisë kam qenë në Beograd i ftuar në një konferencë. Atje kam takuar një gjeneral të ushtrisë serbe, duke biseduar me të i thash: Çka keni ju, ç’është kjo ‘Kosovë-metohi’? S’ka metohi, kjo është Kosovë. Ai më tha: Zotëri Moisiu, ne tani jemi larguar në kufi me juve, por avash avash po të afrohemi. Shiko çfarë mentaliteti kanë ata. Ata kanë ëndërr akoma se Kosova është djepi i Serbisë. Këto janë vërtet ëndrra, të cilat ata i ushqejnë dhe i mbajnë gjallë”, thotë ai.

Ai ka folur edhe lidhu me veprimet e fundit në veri të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, ku thotë se udhëheqësit e vendit duhet të koordinohen me aleatët veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, ish-presidenti thotë gjithashtu edhe se nuk duhet të lëshojë çdo gjë që i kërkohet.

“Veprimet, politikanët e Kosovës duhet t’i koordinojnë me aleatët tanë, në mënyrë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimin Evropian. Në fund të fundit, ata na duan pasi ata na ndihmuan që të krijojmë shtetin e Kosovës. Nuk e krijuan shtetin për ta copëtuar, sigurisht. Por edhe ne duhet të dimë si të sillemi. Duhet të koordinojmë veprimet. Kjo nuk do të thotë se do të lëshojmë çdo gjë. Jo, por duhet të bisedojmë sepse çdo kryeneçësi është në dëmin tonë më shumë. Qeveria e Kosovës ka të drejtë të shqetësohet por pikërisht unë kritikova jo shqetësimin e saj por mënyrën e veprimit. Duhet të bashkëpunojmë me aleatë tanë. Duhet të merremi vesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës se si t’i zgjidhim gjërat më mirë. Kjo nuk zgjidhet menjëherë, por këtu duhet organizim për të gjetur rrugën e bashkëpunimit”, ka përfunduar ai.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here