Një betejë e fortë politike po zhvillohet në Iran për mënyrën se si duhet të përfundojë lufta me SHBA-në dhe Izraelin. Ndërsa një krah kërkon marrëveshje dhe diplomaci, linja e ashpër kërkon vazhdimin e përballjes, duke e konsideruar qëndrueshmërinë e regjimit si një fitore në vetvete.
Më shumë se katër dekada më parë, pas muajsh vështirësish në luftën kundër Irakut të Saddam Husseinit, mijëra trupa të reja iraniane nisën një ofensivë të befasishme që ndryshoi rrjedhën e konfliktit.
Por në vend që të konsolidonte fitoren, atëherë lideri suprem i Iranit, ajatollah Ruhollah Khomeini, kërkoi më shumë. Ai synonte rrëzimin e diktatorit irakian dhe dërgimin e një mesazhi të qartë për armiqtë e ardhshëm: një luftë kundër Iranit do të kishte një kosto të jashtëzakonshme.
Lufta Iran-Irak u shndërrua në një moment kyç për formësimin e shtetit modern iranian. Vendimi i Khomeinit për të vazhduar konfliktin e ktheu atë në një luftë rraskapitëse gjashtëvjeçare, e cila shkaktoi qindra mijëra viktima dhe u bë një nga konfliktet më të përgjakshme të historisë moderne të rajonit.
Sot, dekada më vonë, e njëjta dilemë po rikthehet në Teheran: a duhet Irani të vazhdojë përballjen apo të kërkojë një marrëveshje?
Dy kampe përballë njëri-tjetrit
Përplasja politike në Teheran është bërë gjithnjë e më e dukshme pas gjashtë muajsh lufte. Në njërën anë qëndrojnë politikanët pragmatistë dhe teknikokratët, të udhëhequr nga presidenti Masoud Pezeshkian, kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.
Ky krah mbështet arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Uashingtonin. Argumenti i tyre është se ekonomia iraniane është goditur rëndë, infrastruktura ka pësuar dëme dhe presioni ekonomik dhe detar amerikan po e vështirëson gjithnjë e më shumë situatën.
Pezeshkian ka deklaruar publikisht se lufta duhet të përfundojë në një moment dhe se do të ishte më mirë që marrëveshja të arrihej tani, ndërsa Irani ende e konsideron veten në një pozicion të fortë.
Sipas këtij kampi, një marrëveshje me SHBA-në do të mund t’i jepte Iranit mundësi të lehtësonte krizën ekonomike, të reduktonte izolimin ndërkombëtar dhe të forconte mbijetesën e Republikës Islamike.
Hardlinerët kërkojnë vazhdimin e përballjes
Në anën tjetër qëndrojnë konservatorët e vijës së ashpër, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë çdo marrëveshje që, sipas tyre, do ta linte Iranin të pambrojtur përballë Uashingtonit.
Për këtë kamp, SHBA-ja shihet si një aktor i pabesueshëm, ndërsa përvojat e mëparshme diplomatike përdoren si argument kundër negociatave.
Ata kujtojnë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të nënshkruar gjatë administratës Obama dhe të braktisur më vonë nga Donald Trump. Sipas tyre, historia ka treguar se koncesionet ndaj Uashingtonit nuk garantojnë siguri afatgjatë.
Hardlinerët besojnë se Irani mund ta konsumojë kohën dhe presionin ekonomik duke vazhduar rezistencën, me shpresën se SHBA-ja do të lodhet ose se pozicioni i Trumpit do të dobësohet.
Përplasja po thellohet edhe brenda qeverisë
Ndarjet nuk kufizohen vetëm te politika e jashtme. Hardlinerët kanë akuzuar zyrtarë të qeverisë se po e paraqesin krizën ekonomike si më të rëndë nga sa është në të vërtetë, me qëllim që të krijojnë presion publik për pranimin e një marrëveshjeje me SHBA-në.
Disa prej tyre kanë shkuar edhe më tej, duke akuzuar kampin pragmatist për përpjekje për të manipuluar opinionin publik dhe madje për plane që mund të çojnë në ndryshime të dhunshme politike.
Këto akuza tregojnë se debati për përfundimin e luftës është shndërruar në një luftë të brendshme për drejtimin e ardhshëm të Republikës Islamike.
Trump po e vështirëson rrugën drejt marrëveshjes
Një tjetër faktor që po fuqizon hardlinerët është strategjia e paparashikueshme e presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas analizës së ekspertëve të cituar nga CNN, mesazhet kontradiktore të Trumpit – ku njëherë flet për një marrëveshje dhe më pas kërcënon Iranin – po forcojnë argumentet e atyre që kundërshtojnë diplomacinë.
Në Teheran ekziston frika se negociatat mund të jenë vetëm një mënyrë për të fituar kohë dhe për të përgatitur një tjetër fushatë ushtarake amerikane.
Kjo situatë po e bën edhe më të vështirë kompromisin mes dy kampeve iraniane.
Khamenei në heshtje, vendimi mbetet i hapur.
Në qendër të kësaj përplasjeje qëndron lideri suprem Mojtaba Khamenei, i cili deri tani ka shmangur marrjen e një pozicioni të prerë publik në lidhje me negociatat.
Sipas analizës, kjo heshtje mund të jetë e qëllimshme. Një vendim i hapur në favor të njërës palë mund të dëmtonte autoritetin e tij, veçanërisht në një moment kur ai po përpiqet të konsolidojë legjitimitetin e tij brenda sistemit.
Ndërkohë, hardlinerët po intensifikojnë fushatën kundër një marrëveshjeje me Uashingtonin dhe e paraqesin diplomacinë si rrezik për sigurinë dhe pavarësinë e Iranit.
Në këtë klimë të tensionuar, përfundimi i luftës mund të mos varet vetëm nga negociatat mes Washingtonit dhe Teheranit, por edhe nga beteja politike brenda vetë Iranit.
Nëse pragmatistët arrijnë të bindin udhëheqjen se një marrëveshje është mënyra më e mirë për të shpëtuar ekonominë dhe sistemin politik, lufta mund të shkojë drejt përfundimit.
Nëse hardlinerët dominojnë, Irani mund të zgjedhë të vazhdojë një konflikt të zgjatur, duke vënë bast se koha dhe presioni ekonomik do të konsumojnë kundërshtarin.
Në fund, beteja për paqen mund të jetë po aq vendimtare sa vetë lufta.
