Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.
Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë u zhvillua pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës.
Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
E së fundmi është shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se është e gatshme ta ndërmjetësojë “së shpejti” një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi autoritetet e Kosovës mundësuan lehtësira të përkohshme për komunitetin serb në Ligjin për të huajt.
Në një shkrim në X, Kallas tha se “është krijuar një momentum i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”.
Kjo pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pajtuar t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë përkohësisht letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës.
E pas kësaj deklarate sa real është “momenti i ri” për dialogun Kosovë–Serbi që përmend Kaja Kallas dhe cilët faktorë politikë mund ta bëjnë të mundur ose ta pengojnë mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit në këtë fazë?
Qarri: Qeveria e Kosovës, njëjtë si në mandatin paraprak, duhet tu jap prioritet veprimeve me urgjencë në planin e brendshëm
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.
Analisti sugjeron se deklarata e Kaja Kallas për një takim të ri Kosovë–Serbi synon të zhvendosë vëmendjen nga skandali i përfolur i Marta Kos dhe të krijojë përshtypjen e një momentumi të ri, edhe pse mungojnë rezultate konkrete.
Ai paralajmëron se, për sa kohë Marta Kos mbetet në një rol kyç në BE, Kosova rrezikon të përballet me presione të reja për lëshime dhe kompromise në dëm të saj.
“Deklarata e Shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, menjëherë pas lehtësirave të përkohshme në Ligjin për të huajt, të miratuara në shenjë kompromisi me BE-në, nga Qeveria e Kosovës ,për pjesëtarët e pakicës serbe, se ajo është e gatshme, që së shpejti të ndërmjetësojë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo sikur dëshiron që pas një heshtje të gjatë dhe aferës së zonjës Marta Kos me UDB-në serbo-jugosllave, të shpërfaqur publikisht, këto ditë në ambientet e Parlamentit Evropian, të hijezojë sadopak aferën në fjalë dhe krijojë përshtypjen sikur po ndodhë një momentum i ri edhe në atmosferën e nderë të deritanishme të bisedimeve ndërmjet të dy vendeve, megjithëse për momentin, nuk shihet as dëshmohet pothuajse me asgjë konkrete.
Madje druajt mjaft se derisa në mesin e personaliteteve kryesore të politikës së jashtme të BE-së vazhdon të mbetet shtetasja sllovene, komisarja për zgjerim e BE-së Marta Kos, e përfolur publikisht nga politikani, publicisti, hulumtuesi dhe autori i mirënjohur slloven Igor Omerza në librin e tij më të ri, të titulluar jo vetëm në mënyrë ironike, por enkas -“Komesarka”, që u promovua me 10 mars, mu në ambientet e Parlamentit Evropian, ku autori prestigjioz paraqet argumente të dokumentuara që provojnë në mënyrë autentike, se Marta Kos ka qenë bashkëpunëtore e ish policisë jugosllave-UDB, e cila së fundi anuloi edhe vizitën e paralajmëruar që moti, në Kosovë, nëse organizohet takim i sipërpërmendur i nivelit të lartë, Kosova rrezikon të hyjë në një fazë të re presioni për të lëshuar serish PE-,dhe bërë kompromise të tjera në dëm të vendit tonë”, u shpreh analisti.
Po ashtu, Qarri thekson se, Kosova nuk duhet të nxitojë në dialog me Serbinë pa u siguruar trajtim i barabartë, njohje reciproke dhe largim i figurave të kontestuara në BE, pasi përndryshe rrezikon kompromise të dëmshme.
“Krejt kjo flet qartë se pas largimit të Z. Lajçak e Josep Borell dy përkrahësve më të mëdhenj të Serbisë, ende nuk është larguar tërësisht rreziku për Kosovën, derisa ish bashkëpunëtorja e UDB-së jugosllave mban postin e komisares për zgjerim në BE, andaj nëse edhe pas largimit nga BE të Fusnotës nga prezantimi i emërtimit të shtetit të Kosovës, Kosova nuk trajtohet si shtet i barabartë me Serbinë, nuk kthehet në planin dialogues njohja reciproke ndërmjet të dy vendeve, nuk nënshkruhet marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit nga të dy palët, nuk tërhiqet paraprakisht, letra e ish kryeministres së Serbisë Ana Bernabiq dërguar në dhjetor të vitit 2023 Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se Serbia nuk i pranon pikat që kanë të bëjnë me njohjen e shtetit të Kosovës, si dhe nuk zëvendësohet para rifillimit të bisedimeve, nga BE- bashkëpunëtorja e UDB-s Marta Kos, me një Komisare të paanshme politikisht, Kosova nuk ka asnjë arsye që të nxitojë të takohet vetëm sa për dekor të BE-së me Aleksandër Vuçiqin apo cilindo udhëheqës tjetër shtetëror të Serbisë hegjemoniste me rrugën e shtruar nga konspiracionistet e UDB-së që kanë arritur deri në postin e Komisares për zgjerim në BE”, shpjegon analisti.
Ndër të tjera, analisti shpreh shqetësimin se gatishmëria e Kosovës për dialog, pavarësisht lëshimeve të fundit të vlerësuara nga Evropa, mund të keqpërdoret sërish për të kërkuar kompromise të reja në dëm të saj dhe në favor të Serbisë.
Ai kërkon që Qeveria të fokusohet në forcimin e brendshëm të shtetit, duke integruar plotësisht sistemet paralele dhe duke garantuar sovranitet të plotë në gjithë territorin.
“Kështu që përkundër faktit se çuditërisht kryeministri Kurti, kësaj radhe u duartrokit “me eufori”nga Evropianët për lëshimet që bëri në mënyrën e zbatimit të ligjeve për të huajt dhe automjetet, për pjesëtarët e pakicës serbe, nisur nga përvoja e hidhur e deritanishme me BE-në, kam frik se dakordimin eventual pa asnjë kusht, të Kosovës për takim me Serbinë- nën serenatat e sinkronizuara me kujdes të UDB-së nga Marta Kos, mund të keqpërdoret përsëri, siç është keqpërdorur në vijimësi sinqeriteti dhe gatishmëria për dialog e Kosovës, për të kërkuar lëshime të reja edhe në marrëveshjet tjera të periudhave të kaluara, që realisht do të shkonin në dëm të Kosovës dhe favorizonin serish Serbinë, gjë që do të vinte në disnivel edhe trajtimin e barabartë të qytetarëve të tjerë të vendit, të cilët faktikisht mbeten më të diskriminuar në krahasim me minoritetin serb, si dhe do ta rrezikonte hapur e vinte publikisht në pikëpyetje zotimin e Qeverisë për zbatim të plotë të sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Për këto arsye Qeveria e Kosovës, njëjtë si në mandatin paraprak, duhet tu jap prioritet veprimeve me urgjencë në planin e brendshëm dhe sapo të pajiset nga krerët lokalë me listat e stafit akademik e shëndetësor të gjithë ata të obligohen të aplikojnë për pajisje me leje pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke filluar menjëherë me procesin e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor brenda sistemit tonë shtetëror, për tu dhënë fund paralelizmave e sistemeve ilegale të Serbisë në vendin tonë dhe funksionimin e tyre vetëm brenda institucioneve tona shtetërore e në pajtueshmëri me ligjet e Republikës së Kosovës”, shpjegoi analisti Gani Qarri për “Bota sot”.
Gashi: Kosova në këtë moment ka një avantazh diplomatik të rëndësishëm.
Ndërsa, njohësi tjetër politik, Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se “momenti i ri” në dialog është më shumë simbolik, ndërsa Kosova ka treguar konstruktivitet duke marrë hapa konkretë që e pozicionojnë si palë bashkëpunuese.
“Deklarata e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, se është e gatshme të ndërmjetësojë së shpejti një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë ka krijuar përshtypjen se dialogu mund të hyjë në një fazë të re. Megjithatë, nëse shihet më me kujdes konteksti politik, ky “moment i ri” është më shumë një mundësi diplomatike sesa një ndryshim i madh strategjik në raportet mes dy vendeve.
Së pari duhet theksuar se në këtë rast ishte Kosova ajo që bëri një hap konkret duke ofruar lehtësira të përkohshme për komunitetin serb në Ligjin për të huajt. Ky veprim është interpretuar në Bruksel si një sinjal konstruktiv nga Prishtina. Me këtë lëvizje, Kosova jo vetëm që tregoi gatishmëri për zgjidhje pragmatike, por gjithashtu e vendosi veten në pozicionin e palës që kërkon stabilitet dhe bashkëpunim. Në diplomacinë evropiane, këto sinjale kanë peshë, sepse BE-ja kërkon gjithmonë prova konkrete se palët janë të gatshme të shmangin përshkallëzimin dhe të hyjnë në dialog”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, analisti shton që pengesa kryesore për normalizimin e marrëdhënieve është politika nacionaliste e Beogradit, ndërsa BE-ja përpiqet të mbajë dialogun të hapur kryesisht për të ruajtur stabilitetin rajonal, edhe pa përparim të dukshëm.
“Megjithatë, problemi kryesor nuk qëndron në Prishtinë, por në Beograd. Politika e brendshme në Serbi e bën shumë të vështirë çdo hap serioz drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Presidenti Aleksandar Vučić operon në një klimë të fortë nacionaliste, ku çdo kompromis mbi Kosovën paraqitet nga opozita dhe një pjesë e opinionit publik si tradhti kombëtare. Për këtë arsye, strategjia e Serbisë ka qenë shpesh zvarritja e procesit, duke hyrë në dialog, por duke shmangur vendimet që do të nënkuptonin njohjen e realitetit politik të Kosovës.
Në këtë sfond, deklaratat e Brukselit për takime të nivelit të lartë duhen parë edhe si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të ruajtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Evropa aktualisht përballet me tensione të shumta gjeopolitike dhe nuk dëshiron që rajoni të kthehet në një vatër të re krize. Prandaj Brukseli përpiqet të mbajë të hapur procesin e dialogut, edhe kur përparimi real është i kufizuar”, shpjegoi ai.
Në fund, analisti nënvizon se Kosova ka një avantazh diplomatik duke u treguar konstruktive, por përparimi real në dialog varet nga gatishmëria e Serbisë për të pranuar normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e realitetit të Kosovës.
“Nga ana tjetër, Kosova në këtë moment ka një avantazh diplomatik të rëndësishëm. Sa më shumë që Prishtina tregohet konstruktive dhe e koordinuar me partnerët perëndimorë, aq më e qartë bëhet për bashkësinë ndërkombëtare se problemi kryesor i normalizimit nuk qëndron tek Kosova, por tek refuzimi i Serbisë për ta pranuar realitetin e një shteti të pavarur në rajon. Në këtë kuptim, çdo hap pragmatik i Kosovës forcon pozitën e saj ndërkombëtare dhe rrit presionin mbi Beogradin.
Prandaj “momenti i ri” për dialogun ekziston, por është i brishtë dhe i kushtëzuar nga shumë faktorë politikë. Një takim i nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit është i mundshëm, sidomos nëse BE-ja dhe partnerët perëndimorë shtojnë presionin diplomatik. Por përparimi real do të varet nga një pyetje shumë më themelore: nëse Serbia është e gatshme të kalojë nga politika e menaxhimit të konfliktit drejt pranimit të një normalizimi të vërtetë me Kosovën. Deri tani, shenjat për këtë ndryshim mbeten të kufizuara”, përfundoi njohësi për çështje politike, Eduard Gashi për “Bota sot”.
