Një ushtar izraelit u vra në një incident nga zjarri i kolegëve të tij në jug të Rripit të Gazës natën e kaluar, njoftoi të mërkurën ushtria izraelite.
Ushtari u identifikua si Rreshter Stafi Ofri Yafe, 21 vjeç, pjesëtar i Njësitit të Zbulimit në Brigadën e Parashutistëve, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, incidenti ndodhi kur dy grupe ushtarësh nga Brigada e Parashutistëve kishin dalë në terren për operacione pastrimi afër Vijës së Verdhë në zonën e qytetit Khan Younis të Gazës, me qëllim të pastrimit të infrastrukturës së Hamasit.
Rreth orës 2 të mëngjesit, njëra nga grupet e ushtarëve e identifikoi grupin tjetër gabimisht si armik dhe hapi zjarr.
Ushtari Yafe u plagos në mënyrë kritike nga armët e zjarrit dhe një helikopter u dërgua në vendin e ngjarjes për ta marrë dhe për ta dërguar në një spital. Ai nuk u mbijetoi plagëve gjatë përpjekjeve për evakuim, tha ushtria izraelite.
Ushtria tha më tej se rrethanat e incidentit janë duke u hetuar.
Nga 472 ushtarët izraelitë të vrarë në Rripin e Gazës gjatë operacioneve tokësore të Izraelit kundër Hamasit, 80 prej tyre janë vrarë nga zjarri i kolegëve të tyre dhe në aksidente të tjera, sipas të dhënave të ushtrisë izraelite.
Ushtria ka vlerësuar se një numër i madh i arsyeve kanë çuar në aksidente vdekjeprurëse, përfshirë problemet në komunikim mes forcave si dhe lodhja e madhe e ushtarëve e mungesa e vëmendjes ndaj rregullave.
