Të paktën 14 persona u vranë dhe 25 u plagosën nga të shtënat me armë në universitetin Charles në Pragë. Autori, 24-vjeçari David Kozak, u vetëvra pas masakrës që shkaktoi.
Shqiptarja Sidorela Kalemi, ligjëruese në këtë universitet, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tregoi se në momentin kur ndodhi sulmi, ajo ndodhej vetëm një kat më poshtë.
“Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, unë kam qenë brenda godinës ku kam dhënë mësim, por për fatin tim të mirë kam qenë një kat më poshtë, ngjarja është zhvilluar në katin e katër, unë kam qenë në katin e tretë dhe diku kah ora 3:00 kemi dëgjuar një të shtënë arme, por nuk po bënim dot lidhjen nëse kjo e shtënë ishte jashtë apo ishte brenda godinës sonë edhe pse për të vrojtuar dola në dritare dhe pashë njerëz të cilët po vraponin. Në momentin e parë mendova që kjo ngjarje nuk ishte në fakultet, por më pas filluam dëgjuam të shtëna të tjera brenda godinës, të bërtiturat e studentëve dhe ndërkohë edhe zhurmat e tavolinave dhe karrigeve që më vonë besoj ashtu siç edhe unë me studentët që isha në dhomë, mbyllëm dyert, për të mundësuar edhe izolimin e dhomave”, tha Kalemi.
Ajo tregoi se autori i sulmit ka qenë student i historisë në këtë universitet, ndërsa motivet vazhdojnë të jenë ende të paqarta.
“Me thënë të drejtën, askush në këto momente nuk po merret me motivet ekzakte, por po merren më saktësisht me gjendjen tonë psikologjike, por edhe fizike të personave të cilët janë të dëmtuar dhe një numër i tyre janë detyruar që të lënë të gjitha sendet e tyre personale në fakultet dhe është pak e vështirë edhe lidhja që kanë tashmë me familjarët. Për sa i përket motiveve, nuk është se dihet ndonjë informacion i saktë se pse mund të ketë ndodhur kjo gjë”, tregoi Kalemi.
Ligjëruesja Kalemi rrëfen se në momentin e sulmit, së bashku me studentin e huaj që kishin qenë në zyrë kishin qëndruar për një kohë të konsiderueshme të mbyllur deri në momentin kur kishte
ardhur policia.
“Ne kemi qëndruar një kohë të konsiderueshme sepse nuk dinim, nuk dëgjonim trokitje dyersh dhe në dyert tona dhe nuk dinim nëse ishte policia ose edhe dikush sepse shumë studentë kanë kaluar nga dritarja siç i kemi parë dhe kjo na ka bërë të frikësuar sepse nuk kuptonim nëse ishin studentë të tmerruar apo ishte ndonjëri nga studentët që po kryente këtë lloj gjëje, por në momentin që kjo gjë ka përfunduar, policia ka shpërthyer dyert e zyrave ku ishim dhe na ka evakuuar në një vend tjetër. Pasi na u dha ndihma sigurisht, aty u ndamë në personat të cilët e kishin parë ngjarjen dhe studentët të cilët ishin në hapësira të caktuara të fakultetit. Në momentin që ngjarja ka ndodhur, në zyrën në të cilën unë japë leksionet e mia, kam qenë me një student të huaj nga Danimarka, i cili studion për gjuhën shqipe dhe realisht ka qenë tepër vështirë sepse edhe vet studenti pati një gjendje paniku, u transferua tek mua dhe veprimi i tij paraprak ishte i menjëhershëm drejt dritares për shkak se dritaret në pjesën e tyre të jashtë kanë një bordurë goxha të gjerë edhe kjo ishte gjëja kryesore që ne menduam paraprakisht për të bërë, por më pas u strehuam poshtë tavolinave të punës”, rrëfeu Kalemi.
Mënyra se si personi kishte arritur të futej me armatim në objekt, sipas saj është ende se e paqartë, mirëpo ajo beson se pasi ky ka qenë student, kjo e ka bërë me të lehtë për të që të futet në godinë më me lehtësi.
Kalemi tregon se autoritetet janë duke u marrë me identifikimin e studentëve të cilët janë lënduar dhe gjenden nëpër spitale të ndryshme.
“Dimë që një numër i konsiderueshëm janë nëpër spitale, një pjesë e tyre sigurisht që është edhe me plagë shumë të rënda, por për momentin më tepër jemi duke u marrë me gjithë gjetjen e personave, në cilat spitale janë dërguar sepse ka mungesë informacioni, duke qenë se sendet personale si telefonat apo mjetet e identifikimit janë lënë pas”, tha ajo. /atvlive.tv