Rast i rrallë në SHBA: Infektohet një person me një parazit që ha mishin e gjallë, mund të shkaktojë vdekjen brenda dy javësh

Një qytetar amerikan është infektuar me një parazit të rrezikshëm që ushqehet me mishin e gjallë. Autoritetet shëndetësore thonë se ky është rasti i parë i dokumentuar i këtij lloji në Shtetet e Bashkuara.

Paraziti i quajtur “krimbi i vidës së botës së re” zakonisht shkakton dëmtime të rënda në trup dhe mund të çojë në vdekje brenda dy javësh, për shkak të infeksioneve dhe shkatërrimit të indeve.

Pacienti, emri i të cilit nuk është bërë publik, jeton në shtetin e Maryland-it dhe kishte udhëtuar kohët e fundit nga El Salvadori, ku po përhapet aktualisht ky lloj paraziti, raporton Daily Mail, përcjell Korrespodenti.

krimbi i vidës së botës së re
krimbi i vidës së botës së re

Departamenti amerikan i Shëndetësisë ka konfirmuar rastin, mirëpo bën të ditur se rreziku për përhapjen e tij është ende “shumë i ulët”.

Si vepron ky lloj paraziti në organizëm

Krimbat e vidës janë një lloj mize parazitare që i lëshon vezët në plagët e hapura të njerëzve ose kafshëve. Pas rreth një jave, vezët çelin dhe shndërrohen në larva me dhëmbë shumë të mprehtë, të cilat fillojnë të ushqehen duke gërryer mishin e gjallë.

Ky parazit ishte zhdukur nga Shtetet e Bashkuara që prej vitit 1966, por raste të izoluara janë shfaqur herë pas here, kryesisht për shkak të shpërthimeve në Amerikën Qendrore. Rasti i fundit është i pari që ka të bëjë me një person të infektuar pas udhëtimit nga një vend i prekur nga ky lloj paraziti.
Trajtimi dhe rreziqet

Trajtimi kërkon heqjen e qindra larvave nga plaga ku ndodhet ky lloj paraziti dhe dezinfektimin e saj. Nëse trajtimi bëhet në kohë, pacienti ka mundësi të shërohet. Por nëse vonohet trajtimi, infeksioni mund të jetë fatal brenda dy javësh.

Ky parazit prek rrallë njerëzit, por është shumë i rrezikshëm për bagëtitë dhe kafshët e egra.

Në vitet e fundit janë raportuar raste të ngjashme tek udhëtarët që janë kthyer nga vendet si Republika Domenikane, Brazili dhe Argjentina, por asnjë nga ato raste nuk ka përfunduar me vdekje.

Në vitin 2016, në shtetin e Floridës ndodhi një shpërthim i parazitetit tek drerët, gjë që detyroi autoritetet të angazhonin qindra punonjës për ta ndalur përhapjen.

Harta e mësipërme tregon zonat ku krimbi i vidës mund të jetojë (me ngjyrë blu), përfshirë pjesë të Floridës dhe Teksasit.

Masat parandaluese

Krimbi i vidës gjendet kryesisht në Amerikën Qendrore, Amerikën e Jugut dhe në Karaibe. Vitin e kaluar ai u raportua për herë të parë edhe në jug të Meksikës, duke shkaktuar shqetësime për përhapjen drejt veriut. Për këtë arsye, SHBA kufizoi importin e mishit nga Meksika për të parandaluar rrezikun.

Ky parazit nuk transmetohet nga njeriu te njeriu. Përhapja ndodh kur miza femër e ‘Krimbit të vidës’ vendos vezët në një plagë të kafshëve me gjak të ngrohtë, duke përfshirë edhe njerëzit.

Javën e kaluar, Sekretarja e Bujqësisë e SHBA-së njoftoi ndërtimin e një qendre të re në Teksas, ku do të rriten dhe sterilizohen miza të këtij lloji. Këto insekte më pas do të lëshohen në natyrë që të çiftëzohen me mizat e egra të ‘Krimbit të vidës’, por vezët e tyre nuk do të çelin, duke ndalur përhapjen e tij.

Autoritetet amerikane kanë vendosur kurthe përgjatë kufirit me Meksikën për të kapur dhe monitoruar mizat bartëse të këtij paraziti, në mënyrë që të zbulojnë nëse ato kanë arritur të hyjnë në SHBA.

Sipas Departamentit të Bujqësisë, një shpërthim i madh në Teksas – shteti me numrin më të madh të bagëtive në SHBA – mund t’i shkaktonte ekonomisë amerikane rreth 1.8 miliardë dollarë humbje, duke përfshirë ngordhjen e bagëtive dhe shpenzimet e larta për trajtimin e tyre. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME