Rexhep Vathi nga Derveni i Krujës, i cili një vit më parë i dha fund jetës, është një nga autorët e dyshuar të vrasjes së 18-vjeçarit Antonio Karafili në Voskopojë të Korçës.
Për shkak se Vathi ka ndërruar jetë që nga viti 2024, Prokuroria e Korçës ka pushuar ndjekjen penale ndaj tij. Megjithatë, hetimet kanë vazhduar dhe dosja nr. 1420 është dërguar për shqyrtim gjyqësor, me të pandehurën e vetme Kejsi Spaillari.
Pas kryerjes së krimit të rëndë, ku Antonio u mbyt me çarçaf dhe më pas u var në një degë peme në Voskopojë, Rexhep Vathi, autori i dyshuar, ka shkuar për ngushëllim në familjen e viktimës.
Ky fakt është zbuluar gjatë dëshmisë së nënës së Antonios, shtetases Stefani Karafili, e cila ka dëshmuar në Prokurorinë e Korçës më 14 qershor 2018 dhe më 27 shtator 2022.
Stefani Karafili ka deklaruar se ditën e ngjarjes, më 14 qershor 2018, ka parë Rexhep Vathin vetëm një herë, kur ai po ngjitej drejt lokalit të familjes së tyre në Voskopojë. Më tej, ajo ka shtuar se gjatë kthimit nga Voskopoja, pasi kishin marrë trupin e pajetë të Antonios, e kishte parë sërish Vathin pranë derës së lokalit.
“Herën e dytë, e kam parë Vathin ditën që erdhi në shtëpinë tonë për ngushëllim, së bashku me shtetasin Gani Selaci dhe një person tjetër nga Elbasani”, ka treguar Stefani.
E pyetur nëse Antonio kishte qëndruar më parë në tavernën (lokalin) e familjes, ajo është shprehur se Antonio nuk kishte çelës të saj; një çelës i vetëm i ishte dhënë Rexhepit. Ajo ka theksuar gjithashtu se lokali nuk ishte ambient për qëndrime.
Deklaruesja ka shtuar se ditën e ngjarjes, Antonio kishte me vete si orën ashtu edhe varësen, të cilat më pas iu dorëzuan familjes të këputura nga e dashura e tij, Kejsi Spaillari.
Sipas saj, personi që e çoi në vendin ku ndodhej trupi i pajetë i Antonios ishte vetë Kejsi Spaillari, në atë kohë 17 vjeçe.
Në ditën e ngjarjes, Antonio ndodhej në shoqërinë e Kejsit dhe Rexhep Vathit, i cili çdo vit sillte në Voskopojë kosheret e bletëve nga zona e Krujës. Stefani Karafili ka rrëfyer se gjatë rrugës për në Voskopojë, Kejsi dukej e tronditur, e shpërqendruar dhe nuk fliste fare.
“Unë e pyeta Kejsin pse e kishte lënë Antonion dhe ishte kthyer vetëm në Korçë, por ajo nuk më përgjigjej dhe dukej e shqetësuar”, ka thënë ajo.
Kur kanë mbërritur te lokali në “Ura e Kovaçit”, djali tjetër i saj, Mikeli, ka zbritur nga makina dhe ka pyetur Rexhepin nëse kishte parë Antonion. Rexhepi kishte mohuar.Nëna e Antonios ka pyetur Kejsin se cilën rrugë kishte ndjekur me Antonion. Kejsi ka marrë makinën dhe ka ndjekur një rrugë që të çon drejt një punishteje guri. Gjatë rrugës, nëna i ka kërkuar të kthehen, por Kejsi ka insistuar: “Do të ikim edhe pak”, dhe pas disa metrash ka thënë: “Ja ku e keni Antonion”.
Antonio ishte i varur në një degë pishe, buzë rrugës. Kishte gjuhën të nxjerrë jashtë, sytë të hapur dhe trupi i tij ishte ende i ngrohtë.
Stefani Karafili ka treguar se së bashku me djalin Mikeli u përpoqën ta zgjidhnin çarçafin me të cilin ishte varur Antonio, por nuk ia dolën. Ajo i kërkoi Mikelit të shkonte tek lokali dhe të merrte një thikë nga Rexhepi. Mikeli e mori thikën dhe u kthye me makinën e Kejsit. Pas prerjes së çarçafit, e vendosën trupin e Antonios në makinë dhe telefonuan bashkëshortin për ta vënë në dijeni për ngjarjen.
Fillimisht, hetimet u hapën për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”. Por pas 7 vitesh verifikimesh, Prokuroria e Korçës ka përfunduar se autorët e mbytjes me çarçaf dhe më pas të varjes së viktimës janë Rexhep Vathi dhe Kejsi Spaillari.