Kim Yong Nam, një nga figurat më jetëgjata dhe më të rëndësishme të elitës politike të Koresë së Veriut, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare, njoftuan mediat shtetërore. Ai u shua nga insuficienca e shumëfishtë e organeve më 3 nëntor dhe u përcoll me një funeral shtetëror.
Kim Yong Nam shërbeu si president i Presidiumit të Asamblesë Popullore Supreme nga viti 1998 deri në 2019, duke u konsideruar “kreu ceremonial i shtetit”. Edhe pse pushteti real ka mbetur gjithmonë në duart e familjes Kim, ai ishte shpesh fytyra diplomatike e vendit në arenën ndërkombëtare.
I lindur gjatë periudhës së kolonizimit japonez, ai studioi në Universitetin Kim Il Sung dhe më pas në Moskë, për të nisur një karrierë politike që zgjati mbi gjashtë dekada. Filloi si funksionar i ulët partie, u ngjit në postin e ministrit të Jashtëm dhe më pas në një nga pozicionet më të larta shtetërore.
Kim Yong Nam mori pjesë në disa prej ngjarjeve më të rëndësishme diplomatike të Penianit, përfshirë samitet mes dy Koreve në vitet 2000 dhe 2007, si edhe udhëheqjen e delegacionit koreano-verior në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2018 në Korenë e Jugut.
Ndërkohë, ish-diplomati Thae Yong Ho tha se ai ishte “modeli perfekt për të mbijetuar në sistemin koreano-verior”, pasi kurrë nuk shprehte mendime personale dhe ndiqte me përpikëri vijën politike të familjes Kim. Ndryshe nga shumë zyrtarë të tjerë të lartë që janë ekzekutuar, degraduar apo zhdukur, Kim Yong Nam arriti të ruajë pozitën e tij deri në pensionim në vitin 2019.
