I dyshuari për vrasjen e vjehrrit të tij javën e kaluar ishte ‘zhdukur’ për tri ditë, gruaja e raportoi në Polici

Prishtina u trondit mbrëmë nga dy raste të rënda që ndodhën. Rasti i fundit që ndodhi në rrugën “Ali Vitia” ku një person dyshohet se vrau me thikë vjehrrin e tij tashmë është konfirmuar edhe nga Policia. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për ngjarjen tragjike, ku mbeti i vdekur 52-vjeçari, Ali Kosova.

Sinjali ka mësuar detaje të reja rreth identitetit të të dyshuarit, Edon Bujupi, i cili menjëherë pas kryerjes së veprës është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti tashmë është shpallur në kërkim policor.

Bujupi pak ditë më parë ishte raportuar i zhdukur dhe Policia kishte nisur hetimet për gjetjen e tij. Bashkëshortja e tij, A.Kosova, më 24 nëntor kishte kërkuar ndihmën e Policisë, duke thënë se Edoni një natë më parë ka dalë nga shtëpia dhe nuk ka asnjë informacion për të.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, Edoni ishte paraqitur në stacion policor, ku është parë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka deklaruar se gjatë kohës që ishte raportuar i zhdukur, ka qëndruar në Prizren për qejf.

Çka dihet për rastin e mbrëmshëm?

Për motive ende të panjohura, Edon Bujupi dyshohet se ka privuar nga jeta babanë e bashkëshortes së tij, Ali Kosova 52-vjeçar, duke e therur me thikë.

Nga Policia janë deklaruar lidhur me rastin dhe kanë bërë me dije se viktima është dërguar në QKUK, por nuk ka arritur t’iu bëjë ballë plagëve nga goditjet me thikë dhe vdiq.

“Sot rreth orës 22:00 policia ka marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor, në rrugën “Ali Vitia”, në Prishtinë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore.

Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritë të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë.

Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit ( i identifikuar) si dhe kanë nisë hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”, thanë nga Policia.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here