Arben Lleshi, që vuante dënimin për vrasje në burgun e Peqinit, u ekzekutua këtë të premte nga një i burgosur tjetër, Sokol Mjaçaj.
Nga burgu i Peqinit u raportua për një konflikt mes Mjaçajt, Lleshit dhe një të burgosuri tjetër, Indrit Shaqes. Të plagosur mbetën Shaqja dhe Lleshi, por ky i fundi ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Sipas një dëshmitari nga burgu i Peqinit, Mjaçaj ka kryer vrasje me pagesë. Në një telefonatë ekskluzive për gazetaren Anila Hoxha, i dënuari, që nuk do të identifikohet me emër, tregoi si ndodhi ngjarja.
“Armën e kishte të fshehur diku. Qëlloi Arben Lleshin dhe Indrit Shaqen. Dimë që Indriti është i plagosur më lehtë, ndërsa Arben dëgjuam që e kishte kapur plumbi në qafë.
Unë jam i sigurt që Mjaçaj është i paguar, ai kishte kohë që donte të vinte këtu. Është i paguar për të kryer këtë krim. Te sektori këtu ka një dy tre ditë, nuk ka shkuar akoma në 41 biss. Janë shokët e qelisë. Tani ai ka marrë peng disa familjarë, është në ambientet e takimit”, tha ai.
Por, kush është Arben Lleshi? Ai vuante dënimin për vrasjen e një bashkatdhetari në Angli. Në 10 prill 2012, ekzekutoi Agim Hoxhën në një apartament në qytetin anglez të Southempton dhe më pas, trupin e tij e dogji në një makinë tip “Mercedes Benz”.
Për këtë ngjarje është dënuar me burg edhe vëllai i autorit, Afrim Lleshi, i cili ka pranuar para gjykatës se ka bashkëpunuar në shfarosjen e trupit të viktimës. Dy vëllezërit nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për shkaqet se përse ekzekutuan Agim Hoxhën. Sipas mediave britanike, dy vëllezërit Leshi merreshin me drogë në Angli.
Në maj të vitit 2016, ai u ekstradua në Shqipëri, ku më pas u burgos në IEVP Peqin. /Top Channel