Qeveria e Viktor Orban ka nisur një “konsultim” popullor për anëtarësimin e Ukrainës në BE: të gjithë votuesit po marrin një fletë votimi me postë për të vendosur mbi anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Vota ka pamjen e referendumit, por nuk ka vlerë juridike; Orban e përdor rregullisht këtë mjet për të legjitimuar pozicionet e tij euroskeptike. Në funksion të këtij votimi, qeveria po promovon gjithashtu një propagandë të pamëshirshme: postera gjigantë me fotot e Ursula von der Leyen dhe Volodymyr Zelensky shfaqen në rrugë: “Ne nuk do t’i lejojmë ata të vendosin për ne!”.
Në një letër drejtuar votuesve, Orban pretendon se “Brukseli po përshpejton pranimin e Ukrainës pa pyetur opinionin e popullit”, ndërsa kjo do t’i shkaktonte dëme të mëdha Hungarisë, me rreziqe për fermerët, vendet e punës dhe pensionet. Sipas Orban, Ukraina nuk mund ta fitojë luftën kundër Rusisë dhe hyrja e saj do të shkatërronte BE-në.
Orban shpreson për mbështetje masive për të justifikuar pozicionin e tij për këtë çështje në Bruksel, por ai gjithashtu shpreson të ketë një argument në luftën e tij të brendshme kundër kundërshtarit të tij të rrezikshëm, Peter Magyar, i cili mund ta mposht atë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Nëse Bashkimi Evropian “do të kishte qenë si sot në vitin 2004, nuk është e sigurt që ne do t’i bashkoheshim”, tha gjithashtu Viktor Orban gjatë një forumi të partisë Fidesz. Duke komentuar pozicionin aktual të Hungarisë, Orban nuk e përjashtoi daljen e Budapestit nga BE, por shtoi: “Ne duhet të vendosim se kur do të vijë momenti kur do të ia vlen të merret vendimi për t’u larguar”.
Sipas kryeministrit, “dalja duhet të ndodhë kur disavantazhet e anëtarësimit të jenë më të mëdha se avantazhet”, dhe tani për tani “ai moment nuk ka ardhur ende”. Më pas, kryeministri hungarez iu kthye çështjes së anëtarësimit të Ukrainës në BE. Në një postim në Facebook, ai shkroi se nëse kjo do të ndodhte, “ne mund të humbim gjithçka për të cilën kemi punuar gjatë 15 viteve të fundit”, pasi hyrja e Kievit do të nënkuptonte “fundin e subvencioneve bujqësore, ulje të taksave komunale dhe shtesat e fëmijëve”.