Një grua 75-vejçare ka humbur jetën sot në lagjen “Kërsticinë” në Shtërpcë, si pasojë e shpërthimit të një zjarri.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 06:15 dhe se viktima u gjetë pa shenja jete në dhomën ku kishte ndodhur zjarri.
Sot, rreth orës 06:15, kemi pranuar një informatë për një incident zjarri në lagjen “Kërsticinë” në Shtërpcë. Patrulla e policisë pas arritjes në vendngjarje, konstatoi se në dhomën ku kishte ndodhur zjarri ndodhej trupi i pajetë i një gruaje 75-vjeçare. Në vendngjarje kanë arritur edhe zjarrfikësit nga Shtërpca dhe ekipi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare, të cilët konstatuan vdekjen e viktimës. Në vendngjarje kanë dalë ekipet përkatëse të hetimit rajonal, forenzika dhe ekspertët e zjarrit. Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit, dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi”, deklaroi Veseli.
Veseli shton se akoma nuk dihen shkaqet e zjarrit, por se hetuesit rajonalë janë duke grumbulluar informata dhe prova për të zbuluar shkaqet e zjarrit që quan në vdekjen e 75-vjeçares, serbe, shtetase e Kosovës.