Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shtunën janë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, pranë Kuvendit të Kosovës, homazhe këto që janë organizuar nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Pas homazheve, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se të zhdukurit dhe plaga e tyre nuk janë plagë individuale, por një plagë kolektive që prek tërë shoqërinë kosovare.
Ai theksoi se nuk mund të ketë normalitet pa zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Sipas Hotit, të zhdukurit nuk mund të harrohen as të shërohen vetëm me kalimin e kohës, por vetëm atëherë kur e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në vend për secilën familje.
“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet, pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme bërë varreza masive në Serbi nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpesh herë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne Kosova, qytetarët e Kosovës nuk di të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, tha Hoti.