Hoti për Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së: Nuk është kundër askujt, do të dalim më të fortë

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar atë si shprehje të demokracisë brenda partisë.

Hoti ka thënë se ky proces dëshmon se LDK-ja ka mekanizma statutorë për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e saj.

“Sot, Kuvendi i jashtëzakonshëm të LDK-së është praktikisht ‘demokracia në veprim’ brenda partisë. Thirrja e këtij Kuvendi është dëshmi se LDK-ja ka mekanizmat e saj statutorë dhe demokratikë për të reflektuar, për t’u konsoliduar dhe për t’u bërë më e fortë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka vlerësuar se nga ky Kuvend LDK-ja do të dalë më e fuqishme, me synimin për t’u rikthyer si forcë kryesore politike në vend.

“Nga ky Kuvend do të dalim më të fortë për ta kthyer LDK-në si forcën kryesore politike në Kosovë. Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, Kuvendi duhet të zhvillohet në frymë demokratike, me debat të hapur dhe respekt ndërmjet anëtarëve të partisë.

“Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin. Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt. Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së”, ka thënë ai.

Hoti ka theksuar se vendimi i Kuvendit duhet të respektohet nga të gjithë anëtarët e partisë.

“Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Hoti.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME