Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeminsitrin Albin Kurti, duke thënë se me politikën e tij i ka ndihmuar agjendës serbe në Kosovë, më shumë se sa blerja e armëve kineze e ruse nga Serbia, shkruan Gazeta Demos.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë Serbia do të jepte miliarda për ta larguar Kosovës nga mbrojtja amerikane e aletatët tjerë, gjë të cilën Kurti e bëri pa pagesë.
“As armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve. Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj i ashpër ka qenë edhe me Vjosa Osmanin, duke thënë se, Kosova ka një presidente koti.
“Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Evropa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale. Evropa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor. Ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese”.
“Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”, ka theksuar ai.