Gërvalla në Varshavë: Kosova, demokracia më e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor

Kryediplomatja në dorëheqje e Kosovës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, si dhe të shteteve kandidate dhe me status kandidat potencial në Varshavë të Polonisë që u mbajt në praninë e Përfaqësueses së Lartë të të BE-së, Kaja Kallas.

Ajo tha se atje shkoi me ftesë të Presidencës Polake të Këshillit të Bashkimit Europian, ministrit të Jashtëm të Polonisë, Radosław Sikorski.

Gërvalla shkroi se “ky forum zhvillohet në një moment kyç për të ardhmen e kontinentit tonë”.

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më një projekt abstrakt politik, por një domosdoshmëri strategjike, një përgjigje konkrete ndaj realiteteve të reja gjeopolitike dhe sfidave që rrezikojnë themelet e paqes dhe sigurisë evropiane. Në këtë kontekst të ri, ku arkitektura e Evropës po rikonfigurohet përballë kërcënimeve dhe sfidave të shumanshme, takimi në Varshavë përfaqëson një mundësi për të marrë vendime të guximshme dhe për të artikuluar një vizion të qartë për një Evropë më të bashkuar, më të sigurt dhe thellësisht demokratike”.

Gërvalla tha se Kosova nuk kërkon vetëm integrim në BE, por edhe jep kontribut ndaj projektit të përbashkët europian.

“Kosova, si demokracia më e qëndrueshme dhe vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor, mori pjesë në këtë tryezë me qëndrime të qarta dhe me bindjen se zëri ynë është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e rajonit. Si një shtet që ka ndërtuar institucione funksionale, ka forcuar sundimin e ligjit dhe ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj reformave dhe vlerave evropiane, Republika e Kosovës sjell përvojën e një vendi që nuk kërkon vetëm integrim, por kontribuon me përgjegjësi ndaj projektit të përbashkët evropian”.

“Në Varshavë, riafirmojmë se Republika e Kosovës është dhe mbetet një aleate dhe partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, një faktor stabiliteti, sigurie dhe progresi demokratik, në rajon dhe në gjithë kontinentin”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here