Gazetari Sadiku kërkon falje dhe mohon aludimet: Kisha dhimbje dhe lodhje nga terapia

Gazetari i Kanal 10, Kushtrim Sadiku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me paraqitjen e tij në debatin e së enjtes, duke i kërkuar falje publikut për situatën e krijuar.

Ai ka sqaruar se gjendja e tij shëndetësore ka ndikuar drejtpërdrejt në komunikim, ku bëri të ditur se është në terapi për një sëmundje të lukthit dhe se trajtimi i implanteve dentare ia ka vështirësuar të folurin. “Terapia që jam duke e marr në drejtimin e një sëmundjeje të lukthit, problem të cilin e kam për disa vite rresht dhe trajtimi i implanteve dentare ma kanë vështirësuar mënyrën e komunikimit. Kjo më ka shkaktuar dhimbje dhe lodhje njëkohësisht, kombinim që nuk do t’ia dëshiroja askujt”, ka deklaruar ai.

Sadiku ka mohuar spekulimet që, sipas tij, janë përhapur në rrjetet sociale. “Gjithçka tjetër që po përflitet nëpër rrjete sociale nuk është e vërtetë”, ka shkruar gazetari.

Ai shtoi se, edhe pse në një gjendje të rënduar, ka tentuar të mos mungojë në emision, duke e lidhur këtë me përvojën e tij shumëvjeçare në televizion. “Edhe në një situatë të vështirësuar, jam përpjekur të mos e le emisionin pa e realizuar, siç kam bërë për 17 vjet rresht në TV, pa e humbur asnjë të vetëm, pavarësisht situatave të sëmundjeve apo vështirësive të ndryshme. Por, ja që në këtë rast doli një vlerësim jo i duhur”, ka shtuar ai.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME