Ftesa e Kurtit për takim me opozitarët: PDK e pranon, LDK e AAK ende pa përgjigje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pranuar ftesësn e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një takim pune, ditën e hëne.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Abdullahu tha se qëndrimi i PDK-së është i qartë, sipas tij, rrugëdalja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim”, u shpreh Abdullahu.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”.

Ndryshe nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-së nuk kanë vendosur ende për ftesën e kryeministrit.

Kryeministri Kurti, ka vendosur siç duket t’i ulë tensionet me opozitën, duke i ftuar për të hënën në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare. Në letrën që ua ka dërguar Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt nuk bëhet fjalë për caktim të datës së zgjedhjeve dhe as për shpërbërje të Kuvendit.

Aty tregohet se do të diskutohet për hapat rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror të Kuvendit.

Në letrën drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, tregohet qëllimi i kësaj darke, e cila pritet të mbahet më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.

“Unë jam i vetëdijshëm se subjekti juaj opozitar ka rezervat e veta për pjesëmarrje në procesin e votimit në Kuvendin e Republikës, por besoj pozitivisht se kjo nuk e parandalon pjesëmarrjen tuaj dhe diskutimin tonë të përbashkët për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror”, thuhet në letrën e Kurtit dërguar kreut të LDK-së.

E njëjta letër i është dërguar edhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Gjatë këtij viti, liderët opozitarë vazhdimisht kanë thënë se me kryeministrin Kurti takohen vetëm për caktim të datës zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Kuvendit.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights