Fëmijë me boksa të hekurit dhe thikë në zemër të Prishtinës – Kur armët bëhen “lodra” të miturve, kush po e humb kontrollin?

Një ngjarje që duhet të alarmojë të gjithë ka ndodhur më 18 prill në zemër të Prishtinës, në zonën e njohur si Rrethi i Flamurit. Policia, gjatë patrullimit me njësi në rroba civile, ka ndaluar një grup të miturish ( 6 persona të mitur) që po silleshin në mënyrë të dyshimtë, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë kontrollit fizik, tek disa prej tyre janë gjetur boksa të hekurit, ndërsa tek njëri – i identifikuar me inicialet T.A.T. (15 vjeç) – është zbuluar edhe një thikë flutur, përveç boksit metalik.

Personat e përfshirë janë të gjithë të moshës 14-15 vjeç dhe janë shoqëruar në stacion policor në prani të prindërve. Mjetet e rrezikshme janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari kryesor është intervistuar në prani të avokatit dhe të afërmve të tij.

Prokuroria për të Mitur është vënë në dijeni për rastin, dhe me vendim të Prokurores kujdestare, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe është dërguar në procedurë të rregullt.

Por më shumë se një rast penal, kjo është një kambanë alarmi për shoqërinë. Kur të miturit qarkullojnë me thika nëpër qytet, nuk është më vetëm përgjegjësi individuale – është dështim kolektiv.

Ku janë prindërit? Ku janë shkollat? Ku është kujdesi shoqëror?

Në vend të librave, adoleshentët po mbajnë armë të ftohta. Në vend të lodrave, boksa të hekurit. Kjo nuk është vetëm shkelje ligji – është shkelje e sigurisë sonë si shoqëri.

Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë për raste të tilla që kërkojnë jo vetëm ndëshkim ligjor, por ndërgjegjësim urgjent.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here