Pas 13 vjetësh pa pranuar asnjë anëtar të ri, Bashkimi Evropian e ka kthyer zgjerimin në një çështje urgjente. Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor presin në derë, ndërsa Brukseli premton se do të shpejtojë procedurat. Por askush nuk duket se e ka vendosur ende se çdo të thotë të jesh pjesë e kësaj familjeje…
Lufta në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka. Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më thjesht një punë burokratike me kapituj negociatash, ndryshime gjyqësore dhe pajtim me ligjet evropiane. Ai është kthyer në një mjet politik e strategjik.
Të lësh Ballkanin Perëndimor në një dhomë pritjeje pa fund, do të thotë t’u japësh hapësirë Rusisë, Kinës dhe Turqisë. Të mbash Ukrainën dhe Moldavinë jashtë, do të thotë të dobësosh premtimin politik që u është dhënë pas pushtimit rus.
Në letër, Brukseli e ka “këmbën mbi gaz”. Mali i Zi dhe Shqipëria janë kandidatët më të përparuar. Ukraina dhe Moldavia e kanë nisur zyrtarisht rrugën e negociatave. Por këtu fillojnë pikërisht vështirësitë e mëdha.
Sepse një gjë është të hapësh dyert, dhe krejt tjetër të vendosësh se kush mund të hyjë dhe në çfarë kushtesh. Bashkimi Evropian që duhet të presë anëtarë të rinj, është shumë i ndryshëm nga ai i valëve të mëdha të zgjerimit të vitit 2004.
Në atë kohë, mbizotëronte mendimi se bashkimi ekonomik do të sillte pak nga pak edhe bashkimin politik. Besohej se tregtia dhe lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve do të krijonin një lidhje aq të fortë sa çdo vend anëtar do të ndiqte natyrshëm të njëjtat vlera dhe rregulla. Sot, në plan të parë është siguria. Evropianët janë më të shqetësuar për kufijtë, për migracionin dhe për kërcënimet që vijnë nga lindja. Dhe mbi të gjitha, ka ndryshuar mënyra se si shihet rreziku.
Nëse dikur zgjerimi shihej si një mundësi për të pasuruar Bashkimin, sot ai shihet edhe si një barrë e mundshme. Ukraina dhe Moldavia do të hynin në bllok, duke sjellë me vete një kufi gjeopolitik që është drejtpërdrejt i hapur përballë Rusisë.
Kjo do të thotë se Brukseli do të trashëgonte menjëherë një tension të madh me Moskën, diçka që shumë vende anëtare nuk janë të gatshme ta përballojnë. Për më tepër, Kievi do të kishte një ndikim të madh në buxhetin e bujqësisë, në fondet e bashkimit dhe në ekuilibrat e vendimmarrjes evropiane.
Ukraina është një nga fuqitë bujqësore më të mëdha të botës, ndaj hyrja e saj do të ndryshonte rrënjësisht skemën e subvencioneve që mbështesin fermerët evropianë. Pra, nuk bëhet fjalë thjesht për të shtuar disa karrige rreth tryezës.
Do të duhej të ndryshohej vetë forma e tryezës, të rishikoheshin buxhetet dhe të ribalancoheshin fuqitë brenda Bashkimit. Nga këtu lind një ide që po qarkullon gjithnjë e më shumë në Paris dhe Berlin: një Evropë me shkallë të ndryshme anëtarësimi.
Kandidatët mund të kenë dalëngadalë qasje në tregun e përbashkët, në programet evropiane dhe në disa nga përfitimet e anëtarësimit, pa marrë menjëherë të gjitha të drejtat politike që gëzojnë vendet anëtare.
Kjo do të thotë që ata do të kishin zë në çështjet ekonomike, por jo në vendimet kryesore për politikën e jashtme, sigurinë apo buxhetin e përbashkët. Një zgjidhje e tillë, do ta lejonte Brukselin të vazhdonte zgjerimin pa marrë përsipër të gjitha rreziqet që sillte një anëtarësim i plotë dhe i menjëhershëm.
Kjo është një zgjidhje praktike, por mbart brenda një kundërshti të madhe. Bashkimi Evropian do të përdorë zgjerimin si armë gjeopolitike, pikërisht në të njëjtën kohë kur ka frikë nga pasojat e këtij zgjerimi.
Nga njëra anë, ai u thotë vendeve kandidate: “Ejani, na duheni për të kundërshtuar ndikimin rus”. Ndërsa nga ana tjetër, u thotë: “Por mos prisni të keni të njëjtat të drejta si vendet e tjera”. Kjo sjellje e dyfishtë, rrezikon të dëmtojë besimin e vendeve që presin prej vitesh dhe që kanë bërë shumë reforma të dhimbshme për t’u afruar me standardet evropiane.
Dhe kandidatët po e vënë re këtë gjë. Pas njëzet vjetësh premtimesh, në Ballkan po rritet bindja se qëllimi i vërtetë po zhvendoset vazhdimisht. Mali i Zi dhe Shqipëria mund të përfundojnë të gjitha kapitujt e negociatave, por mbetet një pyetje pa përgjigje nga Brukseli: a do na pranoni një ditë apo do të gjeni gjithmonë një arsye tjetër për të na lënë jashtë?
Kjo pasiguri ushqen zhgënjim dhe hap dyert për ndikime të tjera në rajon. Në fund, pyetja më e rëndësishme është kjo: a do Bashkimi Evropian vërtet anëtarë të rinj, apo do vetëm të pengojë që ata të bëhen aleatë të ndonjë tjetri? Sepse këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.
E para kërkon guxim për të ndarë pushtetin dhe burimet. E dyta kërkon vetëm të mbash të tjerët larg, pa marrë përsipër asnjë detyrim të vërtetë.
Derisa Brukseli të vendosë cilin rrugë do të ndjekë, tryeza do të mbetet e hapur, por karriget do të vazhdojnë të jenë bosh./sassate.it
