“Europol” e FBI zbarkuan në Kosovë: Tetë të arrestuar në dy aksione të ndara

Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka zhvilluar operacione në dy raste të ndara kundër krimit të organizuar, ku janë arrestuar tetë persona.

Në njoftimin e Sistemit Prokurorial thuhet se gjatë operacioneve, në të dy rastet janë sekuestruar prova relevante që do të shërbejnë gjatë procedurave penale.

Në rastin e quajtur “White Star”, u arrestuan pesë persona, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “Pastrimi i parave”.

Ndërsa, në rastin e dytë të koduar me emrin “Mega”, Sistemi Prokurorial njoftoi se janë arrestuar tre persona.

“Dyshohen për: Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar;Financim i terrorizmit; Shpëlarje e parave; Mashtrim; Detyrim; Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse; Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analogeve të tyre”, thuhet në njoftim.

Këto raste janë mbështetur nga institucione ndërkombëtare të drejtësisë, si FBI, Europol, autoritetet policore të Belgjikës, Francës, Holandës dhe Kanadasë si dhe OPDAT nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.

“Prokuroria Speciale është e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për garantimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”, shkroi Sistemi Prokurorial.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME