Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të dielën se vendi i tij mund të hyjë në Izrael, siç ka bërë në të kaluarën në Libi dhe Nagorno-Karabak, edhe pse nuk tregoi se për çfarë lloji të ndërhyrjes e kishte fjalën.
Erdogani, që ka qenë kritikues i ashpër i ofensivës izraelite në Gaza, foli për luftën në enklavën palestineze gjatë një fjalimi në të cilin e vlerësoi lart industrinë turke të mbrojtjes, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne duhet të jemi shumë të fortë në mënyrë që Izraeli të mos mund t’ia bëjë këto gjëra qesharake Palestinës. Njësoj siç hymë në Karabak, njësoj siç hymë në Libi, ne mund t’ua bëjmë njësoj atyre [izraelitëve]” – tha presidenti turk në një takim të partisë së tij në vendlindjen e vet, Rize.
“Nuk ka asnjë arsye pse ne nuk mund ta bëjmë këtë… Ne duhet të jemi të fortë në mënyrë që të mund t’i bëjmë këta hapa” – shtoi Erdogani në një fjalim të transmetuar në televizion, përcjell gazeta “Nacionale”.
Përfaqësues të partisë së tij nuk iu përgjigjën thirrjeve për më shumë hollësi rreth komenteve të presidentit turk. Izraeli nuk bëri ndonjë koment të menjëhershëm.
Erdogani dukej se u referohej veprimeve të Turqisë në të kaluarën.
Në vitin 2020, Turqia dërgoi personel ushtarak në Libi për ta mbështetur Qeverinë e Akordit Kombëtar të Libisë, e njohur nga Kombet e Bashkuara.
Kryeministri i Libisë, Abdulhamid al-Dbeibah, i cili e udhëheq Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli, mbështetet nga Turqia.
Turqia ka mohuar se ka pasur ndonjë rol të drejtpërdrejtë në operacionet ushtarake të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak, por vitin e kaluar tha se ishte duke i përdorur “të gjitha mjetet”, përfshirë trajnimin dhe modernizimin ushtarak, për ta mbështetur aleatin e saj të ngushtë.