VMRO-DPMNE, partia e cila ishte në opozitë në Maqedoninë e Veriut, do të rikthehet në pushtet.
Sipas rezultateve fillestare të zgjedhjeve të djeshme parlamentare që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i shpalli mëngjesin e sotëm, nga mbi 99,27 për qind të votave të numëruara, koalicioni i udhëhequr prej partisë së Hristjan Mickoskit pritet t’i ketë 58 mandate në përbërjen e re parlamentare.
Koalicioni Fronti Europian, i udhëhequr nga BDI-ja e Ali Ahmetit pritet t’i ketë 19 deputetë, duke u bërë forca e dytë politike në vend.
Koalicioni për Ardhmërinë Europiane i udhëhequr nga LSDM-ja pritet t’i ketë 18 deputetë.
Koalicioni nga blloku opozitar shqiptar, VLEN, pritet t’i ketë 13 deputetë. Me këtë koalicion në zgjedhjet parlamentare në shtetin fqinj garoi edhe Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Partia që qeveris në Prishtinë i pati tre kandidatë për deputetë, prej të cilëve Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit, siç raportojnë mediat në Shkup, ka arritur ta sigurojë një ulëse në Parlamentin maqedonas. Të njëjtën gjë nuk arritën ta bëjnë dy kandidatet tjera nga LVV-ja, Nafie Selmani dhe Medine Ukshin.
Klan Maqedonia ka publikuar listat e deputetëve që do t’i kenë Fronti Europian dhe VLEN-i në legjislaturën e re.
Nga Fronti Europian, ulëse në Parlament kanë fituar Blerim Bexheti, Ilir Hasani Sadulla Duraku, Skender Rexhepi, Dijana Toska, Elmi Aziri, Ziadin Sela, Musa Xhaferi, Arbana Pasholli, Ismail Jaoski, Ali Ahmeti, Talat Xhaferi, Ilire Dauti, Menduh Thaçi, Rina Ajdari, Bejxhan Ilijas, Ilir Demiri, Sali Murati e Fatmire Isaki.
Ndërkaq deputetët e VLEN-it do të jenë: Izet Mexhiti, Bekim Sali, Afrim Gashi, Rijad Shaqiri, Merita Koxhaxhiku, Salim Sulejmani, Bilall Kasami, Bekim Qoku, Mimoza Musa, Halil Snopçe, Fatmir Limani, Saranda Imeri – Stafai dhe Sadik Sulejmani.
Me nga 6 deputetë do të përfaqësohen në Parlament E Majta dhe Lëvizja ZNAM. Partitë dhe koalicionet e tjera që morën pjesë në zgjedhje kanë më pak se një për qind të votave.
VMRO-DPMNE ka paralajmëruar një koalicion me VLEN-in, duke e deklaruar hapur dëshirën për ta lënë në opozitë BDI-në, partinë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e uroi Mickoskin, ndërsa nga selia e partisë tha mbrëmë se “nesër të gjithë mund të takohemi” (për koalicion), por shtoi se “legjitimitetin e ka forca e dytë në shtet”.