15.8 C
Pristina
E enjte, 3 Tetor, 2024

Edhe 11 ditë nga takimi i Berlinit, Kosova dhe Gjermania luajnë “futboll” me CEFTA’n

Gjermania po synon të marrë një po nga Kosova deri më 14 tetor kur do të mbahet takimi i Procesit të Berlinit. Zyrtarë të dy vendeve po negociojnë intensivisht, por zyrtarisht ata nuk treguan shumë. Diplomati gjerman Manuel Sarrazin që po qëndron në Kosovë dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e bënë këtë, por s’treguan shumë. Më i hapur ishte Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili foli hapur për kërkesat e Gjermanisë.

Emisarit gjerman, Manuel Sarrazin, iu desh sërish të vijë në Kosovë në përpjekjet e tij për të bindur krerët institucionalë që të heqin dorë nga këmbëngulja e tyre me ndalesën ndaj mallrave serbe dhe të mos rrezikojë përjashtimin nga CEFTA, si dhe të argumentojë se pse është i mirë një treg i përbashkët rajonal. Këtë të dytën ai e përforcoi dje në një fjalim të tij në një forum ekonomik.

Aty ai tha se investuesit që shkojnë në ndonjërin prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e shikojnë edhe potencialin që e jep rajoni si i tërë. Pas fjalimit, ai pati një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi ku diskutoi për CEFTA-n.

Para audiencës, pjesë e së cilës ishte edhe Besnik Bislimi, Sarrazin tha se aktualisht shumica e investitorëve shkojnë në Serbi për këtë arsye. Këtu ai bëri thirrje që të ndryshohet kjo dhe që Kosova të jetë pjesë e një tregu rajonal – të cilin e përshkroi edhe si një ndihmesë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Për t’u treguar shumë i sinqertë, sot shumë prej investitorëve shkojnë në Serbi derisa duan të investojnë në Serbi dhe të bëjnë biznes me tërë rajonin. Le ta ndryshojmë këtë. Le t’ju tregojmë investitorëve gjermanë që ju investoni në Kosovë dhe ne bëjmë një treg të përbashkët rajonal që e bën të mundshme që prej këtu ju mund të keni sukses në rajon”.

Pas tij, foli edhe Bislimi. Ndërsa pas përfundimit të forumit, të dy zhvilluan një takim.

Përkundër që fokusi i gazetarëve ishte nëse Bislimi e Sarrazin arritën ndonjë darkordim të mundshëm mbi CEFTA-n në prag të samitit të Berlinit, përgjigjja që iu dha Bislimi u përqendrua te biseda e tyre rreth futbollit. Bislimi po ashtu konfirmoi se kanë folur për CEFTA-n, por s’dha ndonjë detaj mbi ndonjë rezultat të mundshëm.

Gazeta Express ka pyetur ambasadën gjermane në Prishtinë mbi përmbajtjen e takimit dhe në rast të ndonjë marrëveshje të mundshme, por përgjigjja nuk kishte më tepër se ajo e Bislimit.

Zëdhënësi Christian Böttcher po ashtu përmendi futbollin si ndër temat e diskutuara në takim.

“Nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që tha tashmë z. Bislimi lidhur me takimin. Si temë shtesë, me sa jam i informuar, është folur edhe për futbollin”, tha ai.

Derisa zyrtarët gjermanë po përpiqen që të bindin Kosovën të heqë ndalesën për mallrat serbe dhe në këmbim Kosova të përfaqësohet vetë meqë deri tash është përfaqësuar nga UNMIK, në Bërnjak Policia e Kosovës ka vendosur pengesa të pjesshme për të penguar kalimin e kamionëve. Këto veprime Policia e Kosovës tha se po i bën me qëllim të parandalimit të kontrabandës. Edhe për këtë ngjarje, Gazeta Express ditë më parë është interesuar për qëndrimin e gjermanëve. Por, Böttcher ka hezituar të përgjigjet.

Ne nuk do të komentonim për këto zhvillime”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është treguar më i hapur. Ai tha se ka insistim për heqjen e masave që Kosova ia ka vendosur Serbisë.

“Unë mendoj që ka pasë mirëkuptim ndërkombëtar një vit, mirëpo tash siç po e shohim edhe Gjermania edhe disa prej shteteve të tjera janë shumë këmbëngulëse që kjo të hiqet. Ne edhe dëshirojmë që mos të jemi pengues të funksionimit të CEFTA’s, por dhe në të njëjtën kohë të mos jemi aq naivë sa që të na ndodhë me hy ndonjë gjë në Kosovë për të cilën ne nuk kemi kontroll e pastaj na kthehet ‘boomerang’ në kuptimin e sigurisë”, tha ai.

“A është e mundshme që këto dyja të ndodhin? Pikërisht për këtë po e them, që këto dyja të ndodhin është duke negociuar Qeveria edhe në këto momente zëvendeskryeministri dhe autoritetet tjera”, shtoi Konjufca.

Këto zhvillime po ndodhin derisa në Gjermani ndodhet presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila është takuar me homologun e saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Ajo atje ka marrë mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës, si dhe këshillën e Steinmeier se Kosova “duhet të punojë për të krijuar kushte të nevojshme për këtë”.

Ndërkaq, në lidhje me Procesin e Berlinit, Osmani “e ka cilësuar atë shtysë të fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here