Familjarë të dy gazetarëve gjerman që u vranë në Kosovë një ditë pas çlirimit, kanë shkuar dje në vendin ku ata bashkë me një përkthyes, ishin vrarë nga një mercenar rus që ishte pjesë e ushtrisë serbe. Bashkë me ta ka qenë edhe ambasadori gjerman, që e ka konsideruar si tragjedi faktin që për vrasjen, nuk kishte pasur gjykim e dënim.
Kishin bërë materiale të shumta nga ditët e para të lirisë së Kosovës e po synonin t’i dërgonin për përpunim në Shkup.
Por dy gazetarët gjerman të revistës “Stern” Gabriel Grüner e Volker Krämer, nuk arritën asnjëherë në destinacionin e tyre.
Një ditë pas çlirimit të Kosovës, dy gazetarët gjerman e përkthyesi i tyre, Shenoll Aliti, gjetën atë që nuk e kishin menduar, vrasjen.
Ata u vranë në Qafën e Duhlës nga një mercenar rus, akt që e kishte bërë para syve të forcave serbe që ishin duke u larguar.
Ku kishte ndodhur incidenti i rëndë, këtë të enjte qëndruan familjarë të tyre, ku ndodhet edhe një gur memorial në nderim të tyre.
Lajmin, nuk e kishte besuar në fillim gruaja e gazetarit Volker Kramer.