Shtohen tensionet mes Danimarkës dhe SHBA…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk po ul presionin mbi Groenlandën dhe qeverinë e saj. Disa orë pas vizitës së zëvendëspresidentit të tij, JD Vance, Trump tha në një intervistë për NBC Neës se nuk e përjashton përdorimin e forcës ushtarake për të marrë ishullin.
“Do ta marrim 100%. Mendoj se ka një mundësi që ta arrijmë këtë pa përdorur forcën ushtarake. Kjo është paqja në botë, kjo është siguria ndërkombëtare. Por sa i përket mënyrave, nuk përjashtoj asgjë”, tha ai.
Groenlanda është një territor i Danimarkës, aleate e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara. Prej muajsh, Trump ka shpallur synimin e tij për ta aneksuar territorin, duke argumentuar se është i nevojshëm për arsye të sigurisë ‘kombëtare dhe ndërkombëtare’.
Qëndrimi i përsëritur mbi kontrollin e Groenlandës – të cilin presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka cilësuar si një çështje ‘serioze’ – ka rritur tensionet me qeverinë daneze.
Kryeministrja Mette Frederiksen do të vizitojë ishullin nga e mërkura deri të premten për të ‘forcuar unitetin’ me territorin arktik, në një moment kur Groenlanda sapo ka formuar një qeveri të re koalicioni. Vizita u njoftua një ditë pas fjalimit kritik të Vance drejtuar Danimarkës për «pavendosmërinë» e saj në administrimin e territorit autonom danez.
Të shtunën, ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, kritikoi administratën Trump për «tonin» me të cilin ka folur për Danimarkën dhe Groenlandën, duke deklaruar se vendi i tij tashmë po investon më shumë në sigurinë e Arktikut dhe mbetet i hapur për bashkëpunim më të madh me Shtetet e Bashkuara.
‘Janë bërë shumë akuza dhe shumë deklarata. Dhe sigurisht, ne jemi të hapur ndaj kritikave. Por më lejoni të jem plotësisht i sinqertë: nuk e vlerësojmë tonin me të cilin janë shprehur. Kjo nuk është mënyra se si flitet me aleatët e ngushtë. Dhe unë vazhdoj ta konsideroj Danimarkën dhe Shtetet e Bashkuara si aleatë të ngushtë’, tha ai. /Corriere Della Sera