Dënimet për errësim të xhamave, paqartësi në ligjin e ri

Errësimit të xhamave me letër ngjitëse ua panë sherrin qindra qytetarë në Ferizaj.

Vetëm gjatë muajit prill, Policia në këtë qytet gjobiti plot 222 qytetarë që errësuan xhamat e automjeteve.

Por nuk dihet se mbi cilin nen u bazuan policët kur shqiptuan gjobat, meqë ligji i ri i cili hyri në fuqi më 3 prill nuk parasheh gjobë për këtë kundërvajtje.

Polica tha shkurt se u bazua në ligj.

“Ju njoftojmë se edhe me Ligjin e ri Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve rregullohet përdorimi i xhamave të errët në mjet, andaj bazuar në këto akte ligjore dhe nënligjore, policia do të shqiptojë gjobë ndaj kundërvajtësve që bëjnë shkelje të këtyre ligjeve”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Por ligjet e aktet nënligjore që i përmendi policia, në asnjë rast nuk i specifikojnë gjobat. Derisa ligji për trafikun rrugor nuk përmend askund decidivisht errësimin e xhamave, ai për automjete rregullimin e kësaj çështjeje e parasheh me akt nënligjor.

Por as udhëzimi administrativ të cilit i referohet policia nuk specifikon dënim, vetëm se parasheh mënyrën e përdorimit.

Andaj juristët konsiderojnë se këto gjoba janë të jashtëligjshme.

“Natyrisht gjobat janë të paarsyeshme, të padrejta dhe të paligjshme, sepse asnjë kundërvajtje dhe asnjë dënim tjetër nuk mund të shqiptohet pa ekzistimin e bazës ligjore, në këtë rast ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor nuk e ka parapa si dënim të veçantë, apo gjobë të veçantë specifike errësimin e xhamave”, tha Visar Rrecaj, avokat.

Errësimi i xhamave ishte i rregulluar me ligjin paraprak, por sipas Rrecajt, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, i vjetri shfuqizohet. Sidoqoftë, me a pa të drejtë, policia tha se do të vazhdojë me shqiptimin e gjobave për këto kundërvajtje. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights