Fjalori Cambridge ka shpallur fjalën “Human” (njerëzor/njeri) si fjalën e vitit 2026. Zgjedhja vjen në një vit të karakterizuar nga debatet globale mbi kuptimin e të qenit njeri, në një kohë kur inteligjenca artificiale po i mjegullon gjithnjë e më shumë kufijtë mes njerëzve dhe makinave.
Cambridge e përkufizon fjalën “human” si të pasurit e cilësive, të metave dhe ndjenjave që karakterizojnë njerëzit, në dallim nga zotat, kafshët apo makinat.
Debati mbi njerëzoren në epokën e inteligjencës artificiale
Gjatë vitit 2026, shumë figura publike kanë mbrojtur rolin e njeriut dhe të njerëzores përballë zgjerimit të inteligjencës artificiale.
Bill Gates ka argumentuar se disa profesione, si kujdesi për njerëzit, duhet të mbeten gjithmonë në duart e njeriut dhe të mos zëvendësohen nga makinat. Ai thekson se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në luftimin e sëmundjeve, përmirësimin e arsimit dhe krijimin e më shumë kohe për gjërat që kanë vërtet rëndësi.
Sipas Gates, suksesi i inteligjencës artificiale duhet të matet nga ndikimi që ajo ka në përmirësimin e jetës njerëzore.
Edhe Geoffrey Hinton, një nga figurat më të njohura në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe laureat i Çmimit Nobel, ka paralajmëruar se njerëzimi po krijon qenie të reja, të ndryshme nga natyra njerëzore, duke theksuar se ai zgjedh njerëzit.
Ndërkohë, Papa Leoni XIV ka paralajmëruar për forma të reja të çnjerëzimit dhe për nevojën urgjente që njerëzimi të mbetet thellësisht njerëzor.
Artistët kundër zëvendësimit të krijimtarisë njerëzore
Në këtë debat janë përfshirë edhe aktorë, muzikantë dhe shkrimtarë të njohur, përfshirë Scarlett Johansson, Cate Blanchett dhe Billie Eilish. Ata kanë kundërshtuar përdorimin e inteligjencës artificiale për krijimin e kopjeve të veprave artistike dhe shfrytëzimin e përmbajtjeve të krijuara nga njerëzit pa autorizim.
Edhe shkrimtari Andy Weir ka shprehur shqetësimin se mund t’i përkasë brezit të fundit të shkrimtarëve që krijojnë plotësisht pa ndihmën e inteligjencës artificiale.
Çfarë e dallon mendjen njerëzore nga ajo artificiale?
Rachel Adams, profesoreshë dhe eksperte e qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Kembrixhit, vlerëson se zhvillimi i kësaj teknologjie po e rikthen njerëzimin te pyetjet e vjetra: Kush jemi ne dhe çfarë do të thotë të jesh njeri?
Ajo paralajmëron se inteligjenca artificiale mund t’i thellojë pabarazitë ekzistuese, por njëkohësisht ka potencial edhe për t’i zgjidhur ato.
Ndërkaq, filozofi i shkencës Tom McClelland ngre pyetjen se çfarë i dallon njerëzit nga qeniet artificiale: vetëdija, krijimtaria apo dhembshuria?
Ai u drejtohet veçanërisht të rinjve, duke theksuar se e ardhmja e inteligjencës artificiale nuk është e paracaktuar dhe se mënyra se si do të zhvillohet ajo varet nga vendimet e njerëzimit.
Sipas Colin McIntosh, leksikograf në Cambridge Dictionary, pikërisht ky interes i ripërtërirë për kuptimin e të qenit njeri e bëri fjalën “Human” përfaqësuese të frymës së vitit 2026.
