Fletë-thirrja për Belinda Ballukun nga prokurorët e SPAK përcakton se zv.kryeministrja duhet të paraqitet ditën e hënë për t’u marrë në pyetje në lidhje me një çështje ku dyshohet se është drejtpërdrejt e përfshirë.
Thirrja e prokurorisë speciale është dërguar me postë në zyrat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe në përmbajtjen e saj, të firmosur nga prokurori Dritan Prençi, theksohet se numri dy i qeverisë duhet të jetë e shoqëruar me një avokat mbrojtës.
Kjo nuk është hera e parë që Belinda Balluku paraqitet në SPAK. Ajo është thirrur më parë edhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës, por në atë rast vetëm si person në dijeni të ngjarjes, në rolin e dëshmitares që sqaroi disa elementë të dosjes. Këtë herë, motivi i thirrjes është krejt tjetër.
Dërgimi i fletë-thirrjes në ministri, kërkesa që ajo të paraqitet me avokat, si dhe natyra e çështjes për të cilën kërkohet të merret në pyetje, tregojnë se statusi i saj lidhet me një akuzë të drejtpërdrejtë.
Dyshohet se hetimi për Ballukun është zgjeruar nga dosja fillestare për korrupsionin e ish-vartësit të saj, drejtues në Autoritetin Rrugor të Shqipërisë, Ervis Berberi, telefoni i të cilit mbahet i sekuestruar si pjesë e provave në dosjet e korrupsionit. Prokuroria e Posaçme ka ushtruar kontrolle në banesat e disa bashkëpunëtoreve të afërta të Ballukut. Konkretisht, janë kontrolluar banesat e dy zonjave që kanë qenë bashkëpunëtore të ngushta të saj, ku njëra prej tyre aktualisht nuk është më në detyrë.
Pse u thirr Balluku në SPAK?
Për momentin, përmbajtja e plotë e dosjes mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht. Në përpjekjet e gazetarëve për të marrë detaje nga fashikujt “Balluku”, zyra e shtypit e SPAK sqaroi se “nuk ka asgjë për të ndarë me median”. Megjithatë, duke mos përgënjeshtruar asnjë nga të dhënat e publikuara në media, SPAK në mënyrë të tërthortë ka konfirmuar se raportimet për fletë-thirrjen e zv.kryeministres janë të sakta.
Si drejtuese e një prej ministrive më të fuqishme të qeverisë, që mbulon sektorët e infrastrukturës dhe energjisë me një buxhet që kalon 70 miliardë lekë në vit, Belinda Balluku mban përgjegjësi për disa nga projektet më të mëdha publike të dekadës së fundit.
Vetëm në skandalin e tunelit të Llogarasë, ajo akuzohet se ka firmosur manovra që e shtuan me gati 50 milionë euro vlerën e projektit, një nga rastet më flagrante të abuzimit me fondet publike. Po kështu, në marrëveshjen për dy anijet-gjeneratorë të ankoruara në Vlorë, qeveria shqiptare paguan rreth 64 milionë dollarë për një shërbim që, sipas ekspertëve, është pa vlerë reale, në bazë të një kontrate të firmosur nga Balluku.
Pas tyre renditen një sërë skandalesh të tjera që lidhen me kostot e fryra të rrugëve, koncesionet e dyshimta dhe marrëveshjet për shit-blerjen e energjisë. Projekti më i fundit që ka vënë vulën e dështimit të modelit “Balluku” është ai i aeroportit të Vlorës, tashmë i bllokuar për shkak të një skeme korrupsioni që rrezikon konçensionin me vlerë 140 milion euro.
Në hetimet e SPAK janë përfshirë edhe elementë të kontratës për projektin e parkut fotovoltaik të Zadejës dhe tenderët e rrugës Milot–Fier, të cilat dyshohet se janë manipuluar për të favorizuar kompani të caktuara me lidhje politike.
Cilado të jetë dosja për të cilën e ka thirrur Dritan Prençi, ftesa për t’u marrë në pyetje përbën një skandal të fortë për qeverisjen e Edi Ramës.
Si ka reaguar Edi Rama?
Hetimi i zv.kryeministres së dytë nga SPAK e bën edhe më të pabesueshme fabulën e Edi Ramës se ai nuk ka dijeni për veprimet e bashkëpunëtorëve të tij të afërt, të cilët, siç thotë shpesh, “hanë mollë dhe dardha pas shpinës së tij”.
Me Belinda Ballukun, Rama ka bashkëpunuar ngushtë në disa prej projekteve më të mëdha infrastrukturore, me vlera që arrijnë qindra miliona euro. Megjithëse, firmat janë hedhur nga Balluku, Rama gjithnjë ka udhëhequr projektet duke i paraqitur si pjesë e vizionit të tij qeverisës.
Ndaj ka marrë peshë versioni i dhënë nga Gazment Bardhi, sipas të cilit Rama është tërbuar pas marrjes së fletë-thirrjes për Ballukunm madje ka telefonuar personalisht prokurorin e çështjes, Dritan Prençi.
“Prokurori i posaçëm z. Dritan Prençi është nën presion nga brenda SPAK, nga nivelet më të larta të pushtetit, nga segmente të caktuara mediatike dhe nga eksponentë të krimit të organizuar”, shkruan Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD ka kërkuar reagimin e ambasadës amerikane për këtë çështje. Sipas tij, prokurori është telefonuar nga Rama për të anuluar thirrjen e Ballukut, duke e njoftuar se ajo nuk do të paraqitet në SPAK javën e ardhshme.
“A është e vërtetë se për këtë shkak prokurori i posaçëm z. Dritan Premçi ka patur ndërhyrje të drejtpërdrejta nga Kryeministri Edi Rama për të anulluar thirrjen e Belinda Ballukut, duke e informuar prokurorin se ajo nuk do të paraqitet në SPAK javën e ardhshme?” pyet Bardhi.
Bardhi pretendon se Balluku do të gjejë pretekst për të udhëtuar në një aktivitet ndërkombëtar në të njëjtën ditë dhe orë që është caktuar marrja në pyetje në SPAK, me synim të justifikojë mungesën dhe për të fituar kohë për të ushtruar presion mbi hetuesit.
Nëse edhe Belinda Balluku do të përfshihet në një hetim penal për korrupsion, kjo do të shënonte një tjetër goditje për qeverinë e Ramës. Pas gjithë bashkëpunëtorëve që janë përjashtuar, dorëhequr apo burgosur, mbetet pyetja e pashmangshme: edhe sa të tjerë duhet të digjen që të kuptohet se udhëheqësi i sistemit të korrupsionit është vetë Edi Rama
