Australia i del krah Ukrainës pas sulmit nga Trumpi: Agresorja këtu është Rusia

Aleatja e Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë, Australia, e cila ka miratuar ndihma prej 1,5 miliard dollarësh australianë për Ukrainën gjatë luftës së saj kundër Rusisë, tha të enjten se Rusia është agresorja në konflikt dhe se lufta duhet të zgjidhet sipas kushteve të Kievit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e quajti “diktator” të mërkurën homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe tha se ai duhet të lëvizë shpejt për ta siguruar paqen ose rrezikon që ta humbë vendin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministri i Mbrojtjes i Australisë, Richard Marles, tha se në konflikt ka ndodhur humbje e jashtëzakonshme e jetëve, por se paqja nuk mund të bëhet me çfarëdo kushtesh.

“Lufta në Ukrainë duhet të zgjidhet sipas kushteve të Ukrainës, sepse agresorja këtu është Rusia dhe ai që e shohim se është në pyetje është integriteti i rendit të bazuar në rregulla, rendi global i bazuar në rregulla” – tha Marles para gazetarëve të enjten.

“Ne i mirëpresim përpjekjet për t’i dhënë fund asaj, por kjo nuk mund të jetë me çfarëdo kushtesh, duhet të jetë me kushtet e Ukrainës dhe ne do të vazhdojmë që ta përkrahim Ukrainën në këtë” – shtoi ai.

Australia është aleate e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë në Indo-Paqësor, ku të dyja vendet kanë shprehur shqetësim për fuqizimin ushtarak të Kinës.

Edhe opozita konservatore e Australisë e kritikoi pozicionin e Trumpit ndaj Ukrainës.

“Mendoj se presidenti Trump e ka marrë gabimisht këtë” – tha të enjten Peter Dutton, kryetar i Partisë Liberale në opozitë. “Mendimi se presidenti Zelensky ose populli ukrainas e filluan këtë betejë ose disi ishin përgjegjës për luftën është thjesht i gabuar” – shtoi ai. Dutton ka qenë ministër i Mbrojtjes i Australisë në kohën e fillimit të luftës në Ukrainë.

“Australia duhet të qëndrojë e fort dhe krenare me popullin e Ukrainës. Ajo është demokraci dhe kjo është një luftë për civilizim. Vladimir Putin është një diktator vrasës dhe ne nuk duhet t’i japim atij një centimetër” – tha më tej opozitari australian.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here