Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të mërkurën ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar për shpërthimin e ndodhur më 30 prill në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që kishte në shënjestër veturën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij institucioni, Osman Hajdari.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet B.K., është arrestuar në Podujevë dhe po hetohet për disa vepra penale serioze, përfshirë: “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Zjarrvënia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas komunikatës për media, operacioni policor është zhvilluar në koordinim të ngushtë me prokurorin e Shtetit dhe po vazhdon në mënyrë të intensifikuar në disa lokacione të ndryshme për mbledhjen e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
“Organet e rendit mbeten të përkushtuara për të zbuluar motivet dhe për të sqaruar tërësisht këtë rast”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.
Pas shpërthimit, Hajdari kishte dalë në një konferencë për media ku kishte deklaruar se ky akt lidhet më shumë me detyrën e tij zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për rregull e rend në QKUK.
Ai pati thënë se në momentin e shpërthimit ai ndodhej në zyrë dhe se automjeti ishte parkuar në oborrin e QKUK-së. Ai e lidhi këtë akt të rëndë me detyrën e tij zyrtare dhe luftën kundër grupeve të interesit brenda institucionit.
“Unë si zakonisht udhëtoj me makinën time private, Kam ardhur rreth orës 8:20. Jam vendosur në parkingun e QKUK-së, pastaj kam vazhduar punën si zakonisht. Pas nja një ore e diçka, drejtori i përgjithshëm më njoftoi që ka një shpërthim në parkingun e QKUK-së. Është një mjet shpërthyes në makinën time. Konsideroj që lidhet me puna e përditshme në krye të institucionit të QKUK-së, meqenëse në jetën time private nuk kam asnjë problem. As në të kaluarën, as tash.
Konsideroj që krejt ky akt lidhet më shumë me detyrën time zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për të vendosurur rregull e rend në QKUK dhe ndoshta kjo punë ju pengon grupeve të ndryshme të interesit, qoftë financiare, qoftë grupeve të tjera që mund të kenë lidhje ndoshta edhe me zyrtarë të QKUK-së dhe të tjerë. Këto grupe nëse i kanë zgjedhur këto metoda dhe këto mjete të na frikësojnë e kanë shumë gabim. Do të jemi shumë të vendosur si asnjëherë më parë për të luftuar dukuritë negative, qoftë korruptive, qoftë abuzive”, tha Hajdari në ditën e sulmit.
Për shpërthimin pati reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e ka lidhur me krimin e organizuar dhe ka përmendur edhe aksione me elemente terroriste, të cilat, sipas tij, nuk trembin drejtorët e institucioneve.
“Se krimi i organizuar dhe aksionet me elemente terroriste nuk i trembin drejtorët tanë e dëshmon deklarata publike e djeshme e z. Osman Hajdari, U.D. i Drejtorit të QKUK-së”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka pretenduar se reformat që ka ndërmarrë qeveria e tij kanë prekur interesat e ngushta të klaneve.
“Në çdo institucion publik kemi ndërmarrë reforma të thella që në thelb kanë mbrojtjen e interesit publik e shërbime më të mira për qytetarët. Këto reforma kanë prekur interesa të ngushta të klaneve të ndryshme të instaluara për më shumë se 20 vjet në çdo pore të institucioneve tona”, ka thënë ai.
“Por, akte të tilla jo vetëm që nuk na ndalin, por na bëjnë edhe më këmbëngulës në punët e mira që po bëjmë”, ka shtuar Kurti./Paparaci